Robert Muharremi, pjesë e grupit të ekspertëve që mbështesin delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë në Bruksel, thotë se personalisht distancohet nga qëndrimi i delegacionit të Kosovës për arkivat dhe përfshirjen e UÇK’së në diskursin për personat e zhdukur.
“Si pjesëtar i grupit te eksperteve ne mbështetje te delegacionit ne bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, personalisht dhe profesionalisht distancohem nga qëndrimi i delegacionit lidhur me arkivat dhe përfshirjen e UÇK ne diskursin për personat e zhdukur”, ka shkruar Muharremi.
Ai thotë se deklaratat e fundit të zëvendëskryeministrit Bislimi, kanë dëmtuar përpjekjet paraprake të delegacionit të mëhershëm që në asnjë mënyrë UÇK’ja të mos përfshihet në diskursin rreth personave të zhdukur.
“Deklaratat e fundit kane dëmtuar përpjekjet e delegacionit te mëparshëm qe UÇK te mos përfshihet ne asnjë mënyrë ne diskursin rreth personave te zhdukur”, ka shtuar tutje ai.
Muharremi thotë se hapja e arkivave të UÇK’së ka qenë kërkesë e vazhdueshme e palës serbe, me qëllim të barazimit të UÇK’së me Serbinë.
“Hapja e arkivave te UÇK ka qene kërkesë e vazhdueshme e Serbisë për te ndryshuar narrativen e “fajtoreve” për personat e zhdukur dhe për ta barazuar UÇK me Serbinë. Nuk është me rendësi se si dhe ne çfarë konteksti është bere deklarata, por efekti i saj, i cili tani ka përfshirë edhe UÇK si pjese te problemit.”, ka shtuar tutje.
Në fund Robert Muharremi ka thënë se një gjë e tillë është e dëmshme për Kosovën duke pasur parasysh proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë kundër UÇK’së, dhe thotë se për këtë arsye distancohet nga ky proces.
“Kjo është e dëmshme dhe me pasoja për Kosovën, marre parasysh edhe proceset gjyqësore qe po zhvillohen ne Hage kundër UÇK, dhe për këtë arsye distancohem nga ky process”, ka përfunduar Muharremi.
Besnik Bislimi dje ka deklaruar se Serbia është pajtuar për hapjen e arkivave, përfshirë edhe arkivat e Kosovës për UÇK’në. Sipas tij kjo është edhe në favor të Kosovës. Deklarata e Bislimit ka nxitur reagime të shumta dje dhe sot.