“Mund ta kenë ditur, mund edhe mos ta kenë ditur”, ish ambasadori po dëshmon në Speciale

“Mund ta kenë ditur, mund edhe mos ta kenë ditur”, ish ambasadori po dëshmon në Speciale

Gjergj Dedaj, ish ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut ka nisur dëshminë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në çështjen “Thaçi dhe të tjerët”, në seancë të hapur për publikun.

Dedaj është dëshmitari i 33 i Zyrës së Prokurorit të Specializuar e cila aktualisht po e merr në pyetje ish drejtuesin e Partisë Liberale të Kosovës pikërisht për periudhën që politikani bartte këtë pozitë gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe vizitën që si pjesëtar i kësaj partie, bashkë me subjekte tjera patën në fshatrat e Kosovës, siç tha Dedaj, ta shihnin me sytë e tyre gjenocidin që Serbia po kryente ndaj popullatës civile.

ZPS gjatë intervistimit ka në fokus vizitën humanitare në fshatin Qirez, ku sipas aktakuzës ky delegacion 13 anëtarësh nga parlamenti, ishte burgosur dhe rrahur nga anëtarë të UÇK-së.

Më herët, para prokurorisë, Dedaj ka deklaruar se UÇK-ja ka qenë në dijeni të kësaj vizite të delegacionit sepse duhet ta ketë marrë vesh nga mediat apo njerëzit e saj, por të hënën nuk qe fort i sigurt. “Po mund ta kenë ditur edhe sot po e konfirmoj por edhe mund të mos e kenë ditur, se unë kam mendu që ata e kanë ditë se ka qenë në media. Se na s’kemi shku sekret a msheft, çdo gjë e kemi bë publike.” – deklaroi dëshmitari Dedaj sot, njofton Klan Kosova.

Megjithatë u ankua se nuk flet dot për detaje për shkak të viteve që kanë kaluar.

“Këto janë irrelevante për mu, për ju munden me qenë përfundimtar ku ta di, po i kemi thanë ju keni thanë, ato janë sene që kanë ndodhë para 25 viteve dhe nuk mund të flasim për gjitha detajet, se ishte dashtë me pas një video-kamerë dhe me fol….”

Gjergj Dedaj deklaroi se në Qirez kishin parë një makinë të UÇK-së vetëm në hyrje të Qirezit kur nisën vizitën.

“A u ndeshët gjëkundi me UÇK-në gjatë udhëtimit në Qirez?” – pyet prokurorja Deborah Mayer.

Në Qirez kemi pa pjesëtarë të UCK-së, fillimisht kemi shku në xhaminë e fshatit që sa më kujtohet ka qenë e bombardume nga serbët, kemi vizitu të sëmurët, fëmijët që kanë qenë në gjendje tmerruese, trishtimi, kemi bisedu me ta me ju dhanë kurajo, se pak po gaboni që s’po më leni me i shpjegu pak më gjerësisht se na jemi kthy kemi fol me kryqin e kuq dhe iu kemi dërgu listë me nevojat që i kanë civilët…” iu përgjigj Dedaj duke vazhduar tutje se me ta parë makinën me pjesëtarë të UÇK-së vetëm sa janë lumturuar.

“E kemi pa një makinë në hyrje të fshatit, po s’kemi fol as s’jemi ndal fare, shqetësimi ynë ishte gjendja e popullatës civile, edhe me thanë të drejtën kur e kena pa UÇK-në jena gëzu shumë edhe jena ndi shumë krenar.”

Për çështjet që Gjergj Dedaj i cilësoi si të ekzagjeruara e të mbyllura, po e vazhdon tutje dëshminë duke iu përgjigjur fillimisht Prokurorisë.

Related Articles