Te kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli, nuk janë të shqetësuar me startin e dobët këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll. Shqetësim më të madh se humbjet në katër ndeshjet e para kampionale e kanë lëndimin e dy lojtarëve të cilët nuk dihet se kur do të jenë të gatshëm për lojë. Kapiteni Gëzim Morina nuk e ka luajtur asnjë ndeshje këtë edicion, ndërsa amerikani i natyralizuar, Malcolm Armsted, luajti vetëm në xhiron e parë dhe u lëndua. Si Morina, ashtu edhe Armstead po i shohin nga banka e rezervistëve bashkëlojtarët e tyre që nuk po arrijnë të shmangin humbjet këtë edicion. Pas katër ndeshjeve të luajtura, Ylli zë vendin e fundit në tabelë me katër pikë. Është ekipi i vetëm në elitën e basketbollit kosovar që nuk e ka asnjë fitore. Ylli ka humbur edhe në çerekfinalen e turneut kualifikues të Ligës së Kampionëve.
“Aktualisht më shqetësues për ne është fakti se i kemi dy lojtarë të lënduar dhe nuk dihen datat e sakta se kur do të kthehen në parket. Rezultatet nuk janë shqetësuese për shkak se dy lojtarët kryesorë vendorë janë të lënduar”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Yllit, Egzon Fetiu, të hënën.
Morina është i lënduar prej sezonit të shkuar, ndërsa Armstead i është bashkuar Yllit si përforcim vendor pasi ka pasaportën e Kosovës. Fetiu thotë se ka pritur një start të tillë të ekipit duke pasur parasysh të gjitha problemet që e kanë përcjellë Yllin prej fillimit të përgatitjeve. Skuadra nuk është përgatitur nën urdhrat e trajnerit Adis Beqiragiq, i cili ishte në krye të Bosnjë-Hercegovinës në “Eurobasket 2022”.
Fetiu shton se edhe mungesa e lojtarëve vendorë në treg ka pasur ndikim në këtë start, duke iu referuar largimit të Erjon Kastratit e Mikaile Tmushiqit drejt Trepçës.
“Realisht është pritur një start i tillë, por ndoshta jo me kaq shumë humbje në të gjitha ndeshjet. Kemi pasur probleme prej fillimit dhe sigurisht se këtë e kemi pasur parasysh. Fillimisht trajneri shkoi dhe nuk mundi ta përgatitë ekipin, pastaj erdhën edhe lëndimet”, pranoi Fetiu. “Besoj që ky është maksimumi për momentin dhe të gjithë besojmë në një rikthim të fuqishëm së shpejti”.
Sipas Fetiut, skuadra e Yllit do të vazhdojë me përbërjen aktuale. Ai nuk paralajmëroi ndryshime. Ekipi suharekas do të mundohet deri në dhjetor të angazhojë ndonjë lojtar vendor. Sipas drejtorit të Yllit, edhe të huajt kanë ardhur vonë dhe ekipi ende nuk është konsoliduar tërësisht në aspektin e lojës së përbashkët.
“Nuk mund të kemi ndryshim për momentin dhe do të shkojmë me këtë përbërje. Nuk besoj se do të vazhdojmë shumë me këtë formë, pasi do te kthehemi te fitorja. Ardhja e vonshme e trajnerit, pastaj edhe të lojtarëve që i kemi regjistruar, e kanë bërë të veten. Rashun Davis ende nuk është përshtatur me ekipin dhe besoj që shumë shpejt do ta merr veten dhe do të na ndihmojë shumë”, shtoi Fetiu duke insistuar se nuk kanë hequr dorë nga mbrojtja e titullit. “Nuk është vonë për ta synuar mbrojtjen e titullit, sepse është vetëm fillimi i kampionatit. Është paksa shqetësuese forma aktuale, por ka optimizëm. Po shikojmë për lojtarë vendorë, por problem për momentin. Deri në dhjetor kur edhe është afati i fundit për vendorët mund të kemi ardhje. Trajneri Beqiragiq nuk largohet, sepse vetëm ai mund të na nxjerrë prej kësaj situate pasi e di mentalitetin tonë. Ai është përballur edhe në të kaluarën me situata të tilla, por e ka udhëhequr ekipin drejt dy titujve të kampionit”.
Sa i përket paraqitjes në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, Fetiu nuk ka pritje të mëdha. Ylli është pjesë e Grupit A, të cilin e përbëjnë edhe dy ekipet nga Gjermania, Brose Bamberg e Niners Chemnitz, si dhe skuadra nga Izraeli, Hapoel Galil Elion. Ndeshjen e parë në FIBA Europe Cup, Ylli e luan më 12 tetor. E pret skuadrën izraelite Hapoel Galil Elion në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
“Nuk kemi pritje aq të mëdha, por e mira e kësaj është se në FIBA Europe Cup mund të luajmë me më shumë të huaj. Pra, mund të luajmë me katër të huaj për ta mbuluar mungesën e lojtarëve vendorë”, insistoi Fetiu.