Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci është deklaruar në lidhje me ankesat e shumta për mungesë të teksteve shkollore, raporton Gazeta Enigma.
Nagavci ka thënë se ka dërguar komisione që të bëjnë vizita nëpër shkolla dhe sipas informacioneve ka pasur raste kur Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave.
Sipas Nagavcit, në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent.
“Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik)”, shkruan Nagavci.
Ajo tutje ka thënë se janë të gatshëm të përmbushin kërkesat, nëse ka pasur lëshime nga MASHTI.
“Nëse ka pasur ndonjë mos përmbushje të obligimeve nga ana e MASHTI, ne jemi të gatshëm t’i plotësojmë menjëherë edhe pse deri tash nuk e kemi asnjë informatë të tillë”, shkruan Nagavci.