Trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi nuk është pajtuar me penalltinë e dhënë nga gjyqtari kryesor, Dardan Çaka. Ai ka thënë se më shumë ka qenë faull në portierin sesa penallti e dhënë për Dritën.
Drita barazoi fillimisht rezultatin në minutën e 43-të nëpërmjet penalltisë, ndërsa në minutën e 47-të shënoi golin e dytë dhe të fitores 2:1 ndaj Prishtinës.
“Ka qenë penallti e lehtë e dhënë. Në një derbi të tillë duhet të ketë kujdes. Nuk është ndeshja e parë që po veprohet kështu. Duhet të ketë kujdes. Drita ka ekip të mirë dhe nuk ka nevojë të ndihmohet. Nuk po e kontestoj ekipin kundërshtar, por duhet të ketë kujdes në dhënie të penalltive sidomos në ndeshje të tilla derbi. Kemi bindje se nuk po gjykohemi drejt. Lojtarët tanë janë të motivuar, po vrapojnë dhe po japin maksimumin. Më shumë ishte faull sesa penallti”, ka thënë Munishi.