Munishi: Përballë kishim kundërshtarin më të vështirë

Munishi: Përballë kishim kundërshtarin më të vështirë

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, e ka vlerësuar Llapin si skuadrën më të fortë nga të gjithat që kishin mbetur në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll.

Llapi të mërkurën e eliminoi Gjilanin dhe u kualifikua në gjysmëfinale të Kupës, pasi fitoi 2:0 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

“Të them të drejtën, neve na ra kundërshtari më i fortë. Llapi ka ngecur me pikë në kampionat dhe ambicia për ta është Kupa e Kosovës, deshën apo nuk deshën ta pranojnë. Ka ekip të mirë, por unë jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Na rrezikuan nga ndërprerja në pjesën e parë. Nuk guxojmë të marrim gol të tillë nga ndërprerja. Ishte momenti kur ndeshja po shkonte në vazhdime. Tentonim me kundërsulme ta sulmonim Llapin, që ka skuadër shumë të mirë. Morëm një gol të lehtë. Kemi diskutuar për atë pikë edhe para ndeshjes edhe pas pjesës së parë”, tha fillimisht Munishi.

Ai tha se lodhje pati te të dyja skuadrat, por nënvizoi se faza e mbrojtjes funksionoi mirë duke ndalur lojtarët kyç të llapjanëve.

“Kemi zhvilluar ndeshje dhe u vërejt lodhje edhe te ne edhe te Llapi. Kastriot Selmanin dhe Valmir Veliun i ndaluam. Alban Shillovës nuk i lamë shumë hapësira. Por, nuk guxojmë të marrim gol të tillë”, u shpreh Munishi, që theksoi se tani për titull kampioni, Gjilani do të luftojë fuqishëm.

“Normalisht, ne kemi tentuar t’i ndjekim të dyja trofetë. Do të luftojmë fuqishëm për titull kampioni”, përfundoi Munishi./GazetaEnigma/

Related Articles