Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj anomalive të evidentuara në procesin e votimit me postë për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) gjatë zgjedhjeve të fundit.
Murati ka thënë se pa pasur nevojë për një analizë të thelluar, është e qartë se kemi të bëjmë me manipulim të votave në shkallë industriale. Ai e ka mbështetur këtë akuzë duke krahasuar votat me postë të vitit 2023 me ato të zgjedhjeve nacionale të vitit 2021, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas Muratit, në rastin e LDK-së, rritja e numrit të votave me postë është abnormale dhe ka arritur një përqindje të paprecedentë prej 367%, ndërsa partitë tjera, si LV, PDK dhe AAK, kanë shënuar rritje më të moderuar prej 32%-48%.
“Nëse do të supozonim se LDK do të kishte rritur votat me postë në të njëjtin trend si partitë tjera, atëherë do të kemi një shifër të dyshimtë prej rreth 13-14 mijë votash të manipuluara”, ka thënë ai.
Murati ka theksuar se kjo është një çështje që nuk mund të kalojë pa u vënë re dhe ka kërkuar që prokuroria të nisë një hetim për të zbardhur këtë skemë dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
Ai ka përmendur gjithashtu një incident të ngjashëm që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, ku disa anëtarë të LDK-së ishin kapur duke manipuluar identitetin e qytetarëve që jetojnë në Austri. Për këtë rast, ka pasur edhe dënime nga gjykata.
Në fund, Murati ka apeluar që edhe Lumir Abdixhiku, lider i LDK-së, të bashkohet me thirrjet për hetim dhe transparencë, duke e konsideruar si detyrim moral dhe politik të zbardhjes së kësaj çështjeje të rëndësishme./GazetaEnigma/