Në mbështetje të kandidatit të VV-së për kryetar të komunës së Prishtinës, Arben Vitia, kanë dal deputetja Fitore Pacolli dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ata janë takuar me qytetarët e lagjes “Fusha e Pajtimit” në kryeqytet.
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli para banorëve tha se fëmijët e kësaj lagje meritojnë shkolla e çerdhe, derisa ka përmendur edhe vështirësitë e personave me aftësi të kufizuar në këtë pjesë për shkak të kushteve jo të mira të infrastrukturës.
“Është e rëndësishme të bashkëpunojmë në rrugën tonë për të ndërtuar të ardhmen tonë. Në 2013 menduam që po arrijmë me bë ndryshimin, mirëpo ajo ndodhi çka ndodhi mirëpo ne duhet me fillua një rrugë të re. Neve na duhet vetëm edhe pak angazhim në Prishtinë në mënyrë që të fitojmë me 14 nëntor. Fëmijët e kësaj lagje meritojnë më mirë, meritojnë shkolla e çerdhe, personat me aftësi të kufizuara e kanë të vështirë me qarkullua në këtë rrugë e që udhëheqim me nivelin qendror kemi mendua që është e rëndësishme që të kërkojmë organizimin e juaj e të dilni derë në derë e t’i ftoni qytetarët që të votojnë”.
E, Murati, tha se për synim kanë lehtësimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Derisa ka folur, ai ka përmendur edhe disa nga vendimet e fundit që ka marr Qeveria, duke përfshirë ndarjen e bursave për vajzat, shtesat për fëmijë, e shkollimin falas.
Ai tha se do ta përfundojnë vitin pa deficit, duke mos hyrë në borxh.
“Janë bërë shtatë muaj prej kur e kemi marr qeverinë, ne jemi kanë duke punuar dhe s’kemi dashtë me iu përgjigj kritikave, ato rezultate veç kanë fillua me u vërejt. Hala pa i bërë gjashtë muaj i nisëm shtesat për fëmijë, nuk ki nevojë me shku as në komunë. Është bërë punë e madhe që me e bë më të lehtë për qytetarët. Synimi ynë është me përmirësua jetën e qytetarit dhe me lehtësua jetën”.
“E kemi ndalë hajnin dhe këtë e kemi thënë gjatë fushatës, ne fillimisht duhet m’i rrit vendet e punës, me integrua të gjithë në punë. Kemi bërë masa për punësim që për tre muaj janë punësuar 9300 persona, e gjysma prej tyre janë gra. Kemi nda bursa për 1000 studente për informatikë, e kemi bërë studimin falas në fakultet që s’ka qenë më herët, kemi vendos me i mbështet bizneset prodhuese me 40 milionë euro”, tha Murati para qytetarëve.
“Beni nuk është njeri i shumë fjalëve, edhe unë thamë pse ai nuk del me tregu punën e vet që e ka bërë, jemi vende me vaksinimin më të shpejtë në 10 vendet e botës. 65% e popullatës janë vaksinuar”.