Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se nga sot është hapur aplikimi për Programin e Subvencionimit të Energjisë Elektrike për Konsumatorët e Cënueshëm, raporon Gazeta “Enigma”.
Lajmin e ka bërë të ditur vet ministri përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ku edhe ka njoftuar se aplikimi do të bëhet përmes platformës eKosova.
“Pas pilotimit me sukses gjatë vitit të kaluar ku përfituan mbi 61 mijë familje nga subvencionimi i faturave të energjisë elektrike, kemi rihapur aplikimin për programin 2024/2025”, ka deklaruar ai.
Murati ka theksuar se të drejtë aplikimi kanë të gjitha familjet rezidente në Kosovë, dhe që plotësojnë kushtet si vijon:
– Kanë të ardhura* mesatare mujore prej më pak se 150 euro për anëtar. Pra një familje 4 anëtarëshe duhet të ketë më pak se 600 euro të ardhura mujore, dhe
– Kanë në pronësi më pak se 100,000 euro vlerë të paluajtshmërive.
Për familjet që kualifikohen, subvencioni do të paguhet direkt në faturë, përgjatë 6 muajve të stinës së dimrit, pra për periudhën tetor 2024 deri mars 2025.
Lartësia e subvencionit do të varet nga numri i anëtarëve dhe niveli i të ardhurave mesatare të familjes, por nuk mund të tejkalojë 50 euro në muaj.
Aplikimi mund të bëhet në eKosova, tek shërbimi “Grante dhe subvencione”, dhe do të jetë i hapur në vazhdimësi përgjatë programit.
Tutje ai ka shtuar se “në mënyrë që të përfitoni që nga muaji i parë, duhet të aplikoni më së largu deri më 31 tetor. Aplikimet që bëhen pas fundit të muajit, mund të përfitojnë vetëm nga muaji pasues e tutje”.
“* në llogaritjen e të ardhurave nuk përfshihen të ardhurat nga pensioni për aftësitë e kufizuara (verbër, para/tetraplegjikë), pensioni për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës, pensioni për viktimat civile të luftës, pensioni për invaliditet në punë, dhe të ardhurat nga skema e asistencës sociale”, deklaroi ai. /Gazeta Enigma/