Murati: Po hedhim një hap të madh drejt digjitalizimit të Administratës Tatimore të Kosovës

Murati: Po hedhim një hap të madh drejt digjitalizimit të Administratës Tatimore të Kosovës

Nën udhëheqjen e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe ambasadorit gjerman në Kosovë Joern Rohde sot u mbajt takimi për lansimin e përditësimit të platformës EDI të Administratës Tatimore të Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”.

Ministri Hekuran Murati falënderoi ambasadorin gjerman në Kosovë Joern Rohde për ndihmën që shteti gjerman ka dhënë për digjitalizimin dhe avansimin e platformës EDI në Administratën Tatimore të Kosovës, thuhet në njoftimin e MFPT-së.

Kjo platformë deri më tani është shfrytëzuar vetëm për të deklaruar obligimet tatimore në ATK si dhe ato pensionale në Fondin Pensional. Me këtë përditësim të platformës EDI, bizneset deklarimet do t’i bëjnë vetëm në ATK, pa qenë nevoja të dërgojnë kopje të forta në Këshillin për Raportim Financiar.

Gjithashtu, gjatë takimit u theksua se ATK dhe KRF me sistemin e ri do të jenë në gjendje që të bëjnë analiza të ndryshme nga Pasqyrat Financiare që i marrin nga tatimpaguesit apo bizneset. Përveç kësaj, këto të dhëna do të publikohen në faqen e KRF-së, të cilat do të jenë burim për shfrytëzim edhe nga Universitetet dhe institucione të ndryshme.

Ky hap u vlerësua i rëndësishëm edhe nga Rohde, pasi që e ul barrën administrative mbi bizneset, si dhe ofron transparencë.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe drejt uljes së barrës administrative mbi bizneset. Në të njëjtën kohë, ky hap është gjithashtu thelbësor për t’i dhënë mundësi institucionit të përdorë dhe publikojë të dhëna në përputhje me kërkesat ndërkombëtare për transparencë. Kjo do të thotë që, bizneset ndërkombëtare të interesuara për bashkëpunim me një biznes kosovar, tani përmes kësaj platforme mund të gjejnë informacione të hollësishme rreth bizneseve kosovare”, ka thënë Rohde./Gazeta Enigma

Related Articles