Trajneri i ri i Kosovës, Franco Foda do të jetë sot në Spanjë, më saktësisht në Mallorca për ta shikuar futbollistin Vedat Muriqi.
Kështu ka deklaruar Muriqi në një intervistë me gazetarin Arlind Sadiku, ku tregoi se ai i ka kërkuar një takim.
Ai, mes tjerash gjithashtu potencoi se Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë zgjidhjen e duhur me emërimin e Fodës si trajner.
“Ai ka me ardhur në Mallorca, lojën ndaj Gironas, ka kërkuar një takim, do të kemi një takim. Ka qenë te Amiri, ndihmësit e tij kanë qenë në Stamboll, po interesohen për lojtarët ku luajnë apo ku je. Besoj që Kosova federata e ka bo zgjidhjen e duhur, për shkak të kushteve që kemi ky është zgjidhje e duhur për neve, e njoh prej kombëtares së Austrisë, kur dëgjova se u bë i kom thirrë disa shokë dhe më kanë thënë fjalë të mira”, u shpreh Muriqi.
Muriqi theksoi se ndihet komplet ndryshe në fushë kur luan me fanellën e Dardanëve.
“Çdo minutë që jam në fushë me fanellën e Kosovës dhe që shënoj gol me fanellën e Kosovës e ndjejë shumë më ndryshe se kur luaj me ekipin”.
Ai u shpreh i kënaqur edhe fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, që do të rinovohet.
Ndërsa u shpreh optimist për grupin që Kosova u shortua në Ligën e Kombeve.
“Faktikisht krejt në grup synojmë vendin e parë në grup, nëse nuk ndodhë diçka, Rumania dhe Kosova janë favoritë, nuk duhet bërë gabim me mbet baras dhe me shku atje me humb. Me shkojmë për vendin e parë në grup, tashmë e kemi edhe trajnerin”, u shpreh Muriqi.