Mushtisht: 35-vjeçari humb jetën në vendin e punës, dyshohet se u godit në kokë nga vinçi

Mushtisht: 35-vjeçari humb jetën në vendin e punës, dyshohet se u godit në kokë nga vinçi

Këtë të hënë një 35-vjeçar ka humbur jetën në vendin e punës në fshatin Mushtisht të Suharekës, pasi i njëjti dyshohet se është goditur në kokë nga vinçi, raporton Gazeta “Enigma”.

Lajmin për Gazetën “Enigma” e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ku ka njoftuar se lidhur me këtë incident janë informuar të gjitha njësitet kompetente, përfshirë edhe inspektorin e punës.

“Me datë 01.09.2025, rreth orës 14:30, stacioni policor në Suharekë është informuar nga Emergjenca–Suharekë se kanë pranuar një person me lëndime të rënda. Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar ekipin mjekësor, i cili ka informuar se kanë pranuar personin P.O., rreth 35 vjeçar, nga fshati Mushtisht, pa shenja jete”, tha Bytyqi.

Tutje ai ka theksuar se “lidhur me këtë incident janë informuar të gjitha njësitet kompetente, përfshirë edhe inspektorin e punës. Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se viktima, gjatë punës në një kompani në fshatin Mushtisht, Komuna e Suharekës, duke operuar me një ngarkues (vinç), në rrethana ende të paqarta, është goditur rëndë në kokë. Për shkak të lëndimeve të marra, viktima nuk ka arritur t’i mbijetojë”.

“Njësitet e hetuesisë, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit kujdestar, janë duke zhvilluar hetimet lidhur me rastin si vepër penale  “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”. Trupi i pajetë, me urdhër të prokurorit dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, deklaroi Bytyqi. /Gazeta Enigma/

Related Articles