Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka njoftuar se është kërcënuar, siç thotë ajo nga “militantët e Lëvizjes Vetëvendosje”.
Musliu thotë se kërcënime ka pranuar pas debatit që ka pasur me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
“Të dashur miq dhe të gjithë ju që jeni shqetësuar e kujdesur për sigurinë time. Duke ju falënderuar të gjithëve për kujdesin, dhe në pamundësi për të ju kthyer përgjigje secilit veç e veç, ju konfirmoj se, pas seancës parlamentare ku po diskutohej për 100 ditshin e Qeverisë dhe debatit tim me Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konjufca, nga militantët e VV-së, kam marrë shumë kërcënime duke filluar nga ato seksuale, vrasje e deri te prerja e kokës me sakicë”, ka njoftuar Musliu.
Deputetja thotë se rastin tashmë e ka denoncuar në Polici.
“Rastet i kam denoncuar në Polici me që, pavarësisht a jemi në pushtet apo në opozitë, unë besoj fort në institucionet e Kosovës dhe profesionalizmin e organeve të sigurisë. Tashmë më është konfirmuar se një person është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë. Po ashtu më janë rekomanduar disa masa te cilat unë do t’i përfilli me përpikëri. Të dashur miq dhe në veçanti ju Votues të mi që ma konfirmuat 5 herë rresht besimin tuaj, ju premtoj dhe ju garantoj se nuk ka njeri që me frikëson. Asnjë kërcenim nuk do të më ndalë të mbrojë integritetin tuaj, timin, të familjes sime, Partisë Demokratike dhe të Shtetit tim Kosovës. Askush dhe asgjë s’mund të me ndalë nga përfaqësimi i besimit tuaj”, pohon deputetja.
Musliu shkruan tutje se “ata që përmes rrjeteve sociale përhapin urrejtje dhe bëjnë thirrje për dhunë, do të përballen me organet tona të rendit dhe të sigurisë”.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.
“Prishtinë (NN) 02.08.2021 – 12:30. Më 06.08.2021 pas hetimeve të zhvilluara është identifikuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte kanosur përmes rrjeteve sociale viktimën femër kosovare. I dyshuari pasi është paraqitur në zyrat e hetimeve është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.
Ndryshe, ditë më parë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu janë përplasur në Kuvendin e Kosovës për emërimet familjare.
Musliu para deputetëve të Kuvendit të Kosovës kishte thënë se e kanë vënë në shënjestër motrën e saj, Fatmire Musliun, që punon në Ambasadën e Kosovës në Gjermani.
Në anën tjetër, Konjufca deklaroi se ka listë me mbi 100 emra që janë punësuar në pozita të ndryshme, që janë familjarë dhe të afërm të deputetëve të opozitës. /Gazeta Enigma/