Ish kreu i LDK-së, Isa Mustafa u deklarua sot rreth protestës që planifikohet të mbahet nesër kundër Gjykatës Speciale, raporton Gazeta Enigma.
Ai tha se edhe vet do merrte pjesë, po të ishte mirë me shëndet.
“Është detyrë e gjithë neve të mbrojmë vlerat e luftës, dhe të mos lejojmë të rishkruhet historia me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb që ushtroi dhunë, represion dhe gjenocid në Kosovë. Shteti i Kosovës është rezultat i rezistencës politike të drejtuar nga Presidenti Rugova dhe i luftës së UÇK-së. Është vlerë e përbashkët. Ne kemi pasur besim në drejtësinë ndërkombëtare kur Kuvendi i Kosovës votoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë me ligje të Kosovës. Jam dëshmitar se këtë besim të plotë e kanë pasur edhe Presidenti Thaçi dhe Kryeparlamentari Veseli, me të cilët kam punuar asokohe”, tha Mustafa.
Ai theksoi po ashtu se Gjykata u themelua me bindje se do të marrin dënimet e merituara njerëzit për të cilët faktohet se kanë kryer krime.
“Askujt s’do ti shkonte mendja se në vend të kësaj, bartësit kryesor të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, me rol kyç në Rambuje, në bisedat e Vjenës, në shpalljen e pavarësisë; në kundërvënien ndaj depërtimit me dhunë të një milion shqiptarëve nga Kosova, do të cilësoheshin si ndërmarrje e përbashkët kriminale”, shtoi ai.
Sipas Mustafës “veteranët e luftës meritojnë solidarizim dhe përkrahje nga të gjithë për një kauzë të drejtë”.
“Një kërkesë paqësore për drejtësi të mirëfilltë! Me Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin, kemi qenë kundërshtarë politik. Kemi garuar se kush e bënë Kosovën më mirë. Por, në këtë rast, sikur ta kisha shëndetin, me 7 gusht do të isha edhe unë në Shesh”. / Gazeta Enigma.
Mustafa: Është detyrë e jona t’i mbrojmë vlerat e luftës
