Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka thënë se është shqetësuese që s’ka pasur asnjë reagim nga Shqipëria lidhur me protestën e mbajtur të hënën në Bujanoc.
Mustafi ka thënë për “Interaktiv” të KTV-së se është shqetësuese heshtja e Shqipërisë.
“Shqipëria s’mund të qëndrojë duarkryq ndaj zhvillimeve që po ndodhin në Luginën e Preshevës. Ne si shqiptarë të Luginës kërkojmë mbështetje më të madhe…Në fund të ditës shqiptarët e Luginës janë në të drejtat e tyre, e për shkak se janë në të drejtën e tyre meritojnë mbështetje jo vetëm të Republikës së Kosovës, por edhe të Republikës së Shqipërisë, me të gjithë mekanizmat shtetëror që disponojnë. Shpresojë ditët në vijim të japin mbështetjen e nevojshme për shqiptarët e Luginës”, ka thënë Mustafi.
Ai ka thënë se për të treguar që ka vëmendje për Luginën, Shqipëria duhet të hapë konsullatë atje.