Gjatë ditës së sotme një grup prej 50 kosovarëve që dolën për të ecur nëpër zonën e Zubin Potokut, ishin gjuajtur me plumba në këtë pjesë, raporton Gazeta “Enigma”.
Ndonëse ishin duke ecur në vendin e quajtur “Shijak i Bubës”, që është në veri të Kosovës kur ndodhi sulmi, organizatori i këtij grupi, Adnan Beqiraj, ka konfirmuar për Gazetën “Enigma”, se nuk ka të lënduar. “Ne jemi mirë, nuk ka të lënduar. E kemi vazhdu ecjen në Shalë të Bajgorës”, tha Beqiraj për Gazetën “Enigma”.
LEXO EDHE: Flasin Policia për Gazetën Enigma për shkrepjen e plumbave në Veri
Duke rikujtuar zhvillimet e sotme, ai thotë se ishte duke e udhëhequr ekspeditën kur pa një person me kallash teksa filloi gjuajtjet me plumba. “Kemi fillu si zakonisht ecjen që nga Liqeni i Ujmanit, kemi qenë diku 58 persona, kemi fillu ecjen në një fshat aty afër, jemi ulur pastaj me pushu, dhe prej aty synimi i jonë ka qenë që të shkojmë deri tek lokacioni “Shijak i Bubës”, dhe pas kësaj kemi fillu prapë ecjen në shteg malor. Unë kam qenë një ndër të parët dhe e kam parë dhe shumë afër e kam dëgjuar një plumb që ka kërcitur dhe kam parë një njeri, i cili ka qenë me kallash, unë jam kthy jam ulur dhe aty kanë vazhduar krismat pa ndalur, nuk e di nëse e kanë pasur për të na sulmuar neve, ose për të na frikësuar, por kështu ka ndodhur”, theksoi tutje ai.
Ndërkohë pjesë e kësaj ekspedite u raportua se ishte edhe ish deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi/Gazeta “Enigma”.