Nadal kthehet në finale të “French Open”, Zverev dorëzon lojën

Nadal kthehet në finale të “French Open”, Zverev dorëzon lojën

Rafael Nadal është bërë finalisti i dytë më i vjetër në historinë e “French Open” pasi kundërshtari i tij në gjysmëfinale, Alexander Zverev, e dorëzoi lojën të premten për shkak të një lëndimi në këmbën e djathtë.

Tani, Nadali do të përpiqet të bëhet kampioni më i vjetër në një turne, të cilin e ka fituar tashmë 13 herë.

Duke luajtur në ditëlindjen e tij të 36-të në një ngjarje që e fitoi për herë të parë në moshën 19-vjeçare, Nadal arriti sërish në finale. Seti i parë ndaj Zverevit zgjati një orë e gjysmë dhe përfundoi 7-6 në të mirë të tij. Edhe seti i dytë ishte i barabartë dhe pas një orë tjetër, Zverev u rrëzua prapa vijës bazë ndërsa ndiqte një top në të djathtë të tij. Me t’u rrëzuar, ai menjëherë e kapi kyçin këmbës së djathtë, duke bërtitur nga dhimbja.

Zverev më pas u largua me një karrige me rrota. Disa minuta më vonë, ai doli duke përdorur paterica dhe tha se duhej të tërhiqej nga loja. Ai i shtrëngoi dorën arbitrit të karriges dhe më pas përqafoi Nadalin.

Në finalen e këtij Grand Slami, Nadal do të luajë më fituesin e gjysmëfinales tjetër, në të cilën përballen Marin Çiliq e Casper Ruud.

Related Articles