Sinjale se po kthehen vitet e arta të basketbollit në Kosovë

Sinjale se po kthehen vitet e arta të basketbollit në Kosovë

Prej vitit 2000 deri në vitin 2005 basketbolli në Kosovë e kishte fjalën kryesore si sporti me interesim më të madh nga tifozët.

Palestrat ishin gjithmonë të mbushura të cilat shoqëroheshin me ndeshje interesante e me emocione të mëdha të tifozët që i shijonin ndeshjet deri në maksimum. Temë diskutimi çdo ditë ishte basketbolli, gjë e cila tregonte për momentet e mira që po kalonte basketbolli kosovar.

Sezoni 2021-2022 në basketbollin kosovar e ka rikthyer entuziazmin te tifozët kosovarë të cilët i kanë mbushur palestrat në ndeshjet e Kupës së Kosovës dhe në play-off.

Finalet mes Yllit dhe Trepçës kanë qenë fantastikë në aspektin e cilësisë dhe të atmosferës, pasi në katër ndeshje palestrat në Suharekë dhe në Mitrovicë kanë qenë të stërmbushura duke na kujtuar vitet e arta në të basketbollit në Kosovë.

Ylli u shpall kampion i Kosovës duke e mposhtur Trepçën në seri 3-1. Suharekasit të enjtën mbrëma fituan në Mitrovicë për ta mbrojtur titullin kampion.

Kurse Trepça në këtë sezon ka treguar ndeshje të mira të cilat e kanë kurorëzuar me fitimin e Kupës së Kosovës.

Gazeta Enigma ka biseduar me njohësit e basketbollit kosovar, me trajnerin e Kombëtares së Kosovës në basketboll, Fidan Shatrin dhe komentatorin Arbër Loxha.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, në kategorinë e vajzave, Fidan Shatri thotë se dy finalistët Ylli dhe Trepça u përqendruan në fazën e mbrojtjes.  Ai i vlerëson shumë dyshen e suharekasve, Erion Kastratin dhe Tmusic fazën mbrojtëse.

“Së pari urime Yllit për titullin kampion. Duhet përgëzuar të dy ekipet e sidomos Trepçën për një super organizim të klubit. Ishin finale që të ekipet u përqendruan në fazën e mbrojtjes. Mendoj që përparësia ishte te Ylli në këtë drejtim, pasi që ishin dy lojtarë kyç në këtë triumf të Yllit, Kastrati dhe Tmusic, që armën më të fortë e kanë mbrojtjen”, vlerëson Shatri.

Shatri thotë se lideri i Yllit në këtë sezon ishte basketbollisti Erion Kastrati. Ai thotë se Ylli titullin e kampionit e fitoi në ndeshjen e dytë serisë finale, ku Trepça tregoi paraqitje të zbëhtë.

“Lider në fushë, besueshmëri 100 % e trajnerit në Erion Kastratin bëri që Ylli të ketë qetësinë në ecurinë e këtij kampionati. Mendoj që ky titull për Yllin erdhi në ndeshjen e dytë finale, ku Trepça ishte nën nivelin e duhur dhe Ylli e shfrytëzoi këtë rast ku në pjesën e parë të ndeshjes lejoi Trepçën të shënoj mesatarisht një pikë për minutë”, potencon ai.

Fidan Shatri thotë se organizimi i mirë i klubeve ka bërë që të rikthehet gjallëria në basketbollin kosovar, por ai thotë se në të kaluarën ka pasur lojtarë me cilësorë në parket sesa tani.

“Në këtë drejtim mendoj që këto ndeshjet finale ishte pozitive interesimi i shikuesve që të jenë në palestra në ndeshje. Dallimi në mes të kaluarës dhe të tashmes është cilësia në parket që të në të kaluarën kemi pasur lojtarë shumë cilësorë në parket. Organizimi i disa klubeve bën që të kthehet gjallëria në basketbollin tonë. Shpresoj që ky organizim i klubeve në të ardhmen e afërt vëmendje t’i jepet punës me gjenerata e reja”, komenton Shatri.

Me trajnerin Fidan Shatri, nuk po pajtohet komentatori Arbër Loxha sa i përket cilësisë nga kohët e arta dhe tani. Loxha thotë se cilësa në basketboll tani është më e mirë sesa më herët.

Sa i përket rikthimit si në kohët e vjetra. Besoj që secila kohë e ka veçantinë e vet. Është e vështirë të bëjmë krahasime e mëhershëm me tani. Mund të themi se sa i përket cilësisë së lojës ka pasur përparim dhe është më mirë sesa herat e tjera, por duhet të themi se interesimi më herët ka qenë më i madh dhe besoj që dalëngadalë po kthehet ai interesimi për elitën e basketbollit të Kosovës”, vlerëson Loxha.

Por, Loxha pajtohet me Shatrin sa i përket organizimit të klubeve që kanë kthyer gjallërinë në basketbollin kosovar.

“Faktori janë investimet, janë kthyer shumë sponsor, duke e ditur që tani shumë firma e koorporata që kanë para, po mundohen që të kapitalizojnë nga ligji për sponzirim dhe gjithmonë sa më shumë investime dhe organizim më të mirë, interesimi për lojën do të jetë më i madh. Prandaj besoj që kjo është arsyeja që gjallëria dhe emocionet në basketbollin kosovar janë rikthyer përsëri”, thotë Loxha.

Triumfimi i Yllit ndaj Trepçës cilësohet me meritë sipas Fidan Shatrit, për shkak të ecurisë që e ka pasur skuadra suharekase tërë sezonin.

“Ecuria e Yllit në këtë kampionat, puna sistematike që kanë pasur me meritë kanë qenë në vend të parë që ishte avantazh psikik dhe iu shërbeu për triumf në serinë finale dhe me plotë meritë mbrojnë titullin kampion” thotë ai.

Loxha i cilëson finalet tepër intersante, sipas tij në dy ndeshjet e para si Ylli ashtu edhe Trepça studiuan njëra-tjetrën duke tentuar t’i a gjenin pikat e dobëta njëra-tjetrës.

“Finalet ishin shumë interesante, fillimisht skuadrat në dy ndeshjet e para bënin llogari duke tentuar që të gjejnë pikat e dobëta të njëri-tjetrit. Por në ndeshjen e tretë dhe të katërt, të dy ekipet planifikuan stilin e lojës dhe formën e lojës në bazë të kapaciteteve dhe cilësisë që kanë”, thotë Loxha.

Katër ndeshjet finale Loxha i cilëson tepër interesante për faktin se palestrat kanë qenë të mbushura. Ai beson se iu është kthyer nami finaleve të basketbollit të Kosovës.

“Ka qenë njëra nga finalet me përballje shumë interesante, si në nivelin taktik të trajnerëve, por edhe duke e bërë diferencën lojtarët cilësorë. Ndërkohë edhe në tribuna organizimet kanë qenë shumë të mira, sepse në katër ndeshjet të dy skuadrat arritën ta mbushin plotë palestrën dhe besoj që iu është kthyer në njëfarë formë një nam finaleve të basketbollit të Kosovës”, vlerëson Arbër Loxha.

Sipas Loxhës, Ylli është me plotë meritë kampion i Kosovës.

“Ylli e ka fituar me meritë, zakonisht në këto seritë me nga pesë ndeshje të mundshme gjithmonë fiton më i mirë dhe jam i bindur që Ylli jo vetëm në seritë finale dhe në play-off për tërë këtë edicion kanë treguar një vazhdueshmëri shumë të mirë, formës së mirë,  lojës së mirë, organizimit, prandaj besoj dhe jam e bindur që skuadra më e mirë fitoi”, thotë ai.

Loxha ka fjalë të mira edhe për Trepçën që fitoi në këtë vit Kupën e Kosovës dhe ishte finalist.

“Edhe Trepça është në atë nivel, prandaj e fitoi Kupën e Kosovës dhe luajti në finale, besoj që shumë pak iu është dashur Trepçës që të barazohet në aspektin e cilësisë me skuadrën e Yllit dhe përsëri më shtohet bindja që Ylli me plotë meritë arriti të shpallet kampion përsëri në elitën e basketit të Kosovës”, thotë ai.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles