Ministrja e Arsimit, Arbërie Ngavaci, ka bërë të ditur se Kosova do të marrë pjesë edhe sivjet në testin PISA ku herën e fundit ishte radhitur gati krejt në fund të listës.
Nagavci, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se kanë nisur punën për pjesëmarrjen në këtë test, derisa shton se duhet punuar shumë më tepër për të pasë rezultatet e pritura.
“Ne kemi marrë vendimin që edhe sivjet të marrim pjesë në testin e vlerësimit të nxënësve, PISA, i cili do të organizohet në pranverë të këtij viti. Natyrisht të gjitha shtetet pjesëmarrëse sivjet do t’i kenë sfidat e tyre për shkak të situatës së krijuar me pandeminë”.
“Ne kemi pasur goditje të sistemit të arsimit për shkak të pandemisë, prandaj fokusi ynë edhe si ministri ka qenë të rikthehemi me mësim me prani fizike, t’i bëjmë të gjitha ato që janë në kompetencat tona që të ofrojmë një mësimdhënie cilësore për nxënësit dhe t’i rikuperojmë humbjet që janë shkaktuar. Përtej kësaj do të marrim pjesë edhe në testin PISA ku në këtë drejtim ka një planifikim dhe ka një varg aktivitetesh që po ndërmerren në mënyrë që të jemi të suksesshëm në këtë test, por duke i pasur parasysh rrethanat me pandeminë natyrisht se duhet tepër punë që t’i kemi rezultatet e synuara”.
Megjithatë, ajo nuk ka pritshmëri të mëdha se Kosova do të jetë më e suksesshme këtë herë në testin PISA.
Ministrja e Arsimit një pjesë të madhe të fajit për rezultatin e Kosovës, që megjithatë synohet të jetë më pozitiv, ia lë pandemisë COVID-19.
“Mendoj se tani angazhimi i të gjitha palëve të përfshira – mësimdhënësit, menaxhmenti i shkollave, zyrtarët komunalë dhe ata të ministrisë së Arsimit – rreth seriozitetit dhe përkushtimit për pjesën organizative të pjesëmarrjes në testin PISA është në një nivel shumë më të lartë. Ka vëmendje dhe përkushtim që të gjitha obligimet që na takojnë neve të jenë të përmbushura në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“Përtej kësaj mendoj që edhe për mësimdhënësit ka qenë shumë e rëndësishme që të punojnë me nxënësit e tyre në mënyrë që të përmirësojnë rezultatet, sepse këtyre rezultateve të fundit iu janë referuar të gjithë kur kanë folur për gjendjen në arsim dhe me të drejtë se kjo është shqetësuese dhe nevojitet që të punojmë shumë për përmirësimin e rezultateve”.
“Nuk mund të them që jam shumë optimiste, edhe për shkak të situatës me pandeminë dhe edhe për shkak të vështirësive të cilat janë evidente edhe janë evidentuar edhe në testin e fundit”.
“Përkundër vullnetit për të punuar dhe për të arritur rezultate më të mira e gjithë bota u godit nga pandemia dhe kjo solli vështirësi të reja, kështu që në përgjithësi nuk pres që në të gjitha vendet do të ketë një nivel më të lartë, por përtej kësaj është obligim i joni që të japim maksimumin tonë duke filluar që nga mësimdhënësit e deri te ne në ministri në mënyrë që të sigurohemi që nxënësit të arrijnë rezultate më të mira në këtë test”./Gazeta Enigma/