Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar në lidhje me paralajmërimet e Sindikatave të Arsimit për grevë në fillim të shtatorit.
Ministrja tha se kërcënimet me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022-2023 është i papranueshëm.
“Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022 – 2023 është i papranueshëm. Çfarë do të mbërrihet me çfarëdo greve është vetëm dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët tanë. Rezultatet në arsim nuk janë ato që i dëshirojmë. Duhet shumë punë e përkushtim nga të gjithë, në mënyrë që të kemi ndryshime pozitive”, tha ministrja.
Ministrja e Arsimit, Nagavci, theksoi se ata që ia duan të mirën këtij vendi, të ardhme më të mirë për fëmijët e suksese të përbashkëta duhet të ftojnë për angazhim dhe jo për greva, bllokada e pengesa.
“Si Qeveri e në Ministri të Arsimit, po punojmë me intensitet të shtuar në të gjitha drejtimet, në legjislacion, përmirësim të infrastrukturës shkollore, mbështetje për mësimdhënësit e nxënësit dhe nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Edhe legjislacioni që i rregullon pagat dhe të tjera po bëhet dhe do të bëhet si më mirë të jetë e mundshme.Koha është për punë, e mbi të gjitha, askush nuk ka të drejtë t’u mohojë fëmijëve të drejtën për shkollim”, tha ajo.