Nagavci thotë se Kushtetuesja nuk gjeti shkelje ekzistuese në vendimin për Kamenicën

Nagavci thotë se Kushtetuesja nuk gjeti shkelje ekzistuese në vendimin për Kamenicën

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit i ka dalë në mbrojtje vendimit të saj për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për nxënësit në Kamenicë, edhe pse ditë më parë Gjykata Kushtetuese e cilësoi si shkelje të ligjit për qeverisje lokale. Sipas një arsyetimi të ministres Arbërie Nagavci, Gjykata Kushtetuese nuk ka gjetur shkelje ekzistuese në këtë çështje, pasi sipas MASHTI-t gjendja e tillë “është shuar së ekzistuari në fund të korrikut të vitit 2021”.

Si kryetar i Komunës, Qëndron Kastrati më 2019 kishte iniciuar reforma në arsim përbrenda Komunës, duke i mbyllur disa shkolla shkaku i numrit të vogël të nxënësve në to. Si rrjedhojë, nxënësit e këtyre shkollave i kishte bartur në objekte të tjera, porse në pakënaqësi ndaj vendimit, prindërit e nxënësve kishte refuzuar që ta zbatonin. Pas kësaj, MASHTI kishte marrë vendim që të organizohet mësimi alternativ i përshpejtuar, duke i rihapur shkollat e mbyllura, veprim ky që nga Kushtetuesja u cilësua si jokushtetues.

Deri tash ministrja Arbërie Nagavci nuk kishte dalë me një sqarim të plotë duke thënë se po e analizon vendimin. Asaj i është kërkuar dorëheqja nga partitë opozitare.

Në një njoftim në Facebook të mërkurën, Nagavci ka dalë me një komunikatë me të cilën ka mbrojtur vendimin e saj.

“Rikujtojmë se Vendimi 01B/24 është marrë më 23 prill 2021, me qëllim që t’u mundësohet nxënësve të pesë vendbanimeve të Komunës së Kamenicës kompensimi i pjesshëm i orëve të humbura, si rezultat i mosvijimit të mësimit prej fillimit të vitit shkollor 2020/21. 441 nxënës të moshës 6-14 vjeç nuk e kanë vijuar mësimin për 8 muaj, e më shumë se 100 prej tyre nuk kanë vijuar mësimin për rreth dy vite. Prandaj, me këtë vendim, MAShTI ka konsideruar përmbushjen e obligimin ligjor për t’iu siguruar fëmijëve të mbetur jashtë shkollës të drejtën për shkollim, duke konsideruar se mbrojtja e interesit të fëmijëve bën pjesë në kategorinë e obligimeve parësore”, thuhet në komunikatë.

Sipas MASHTI-t, situata e krijuar që nga fund-korriku i vitit 2021 dhe në vijim është “plotësisht në përputhje me përcaktimin e aktgjykimit në fjalë”. Prandaj, kjo ministri ka thënë se s’ka nevojë të ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim. Kjo ministri ka thënë se e respekton vendimin, ndërsa ka thënë se aty “vetëm ‘deklarohet’ një mospërputhje e një gjendjeje faktike që është shuar së ekzistuari në fund të korrikut të vitit 2021”.

MASHTI thotë se Kushtetuesja nuk gjeti shkelje që ekzistojnë aktualisht apo të tilla që do të duhej t’i ndërpritej pasoja juridike.

“Pas një analize të të gjeturave të Aktgjykimit, MAShTI-i vëren që ky i fundit e ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të MAShTI-it sa i përket përputhshmërisë së tij me parimet e vetëqeverisjes lokale, vlerësim ky i natyrës kryesisht formale, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese, për shkak të mungesës së jurisdiksionit në rastin konkret, nuk e ka vlerësuar aspektin e përputhshmërisë së Vendimit 01B/24 me të drejtën në arsim të garantuar me Nenin 47 të Kushtetutës (ndërlidhur me Nenin 2 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut). Një konstatim të tillë e bën vet Gjykata në paragrafin 126 të Aktgjykimit në fjalë. Rrjedhimisht, vlerësojmë se Aktgjykimi është i kufizuar vetëm në vlerësimin e përputhshmërisë formale të Vendimit të kontestuar, e jo aspekteve përmbajtësore të ndërlidhura me të drejtën e fëmijëve në arsim sa i përket ofrimit të detyrueshëm të shkollimit fillor për secilin nxënës në mënyrë të barabartë”, thuhet në njoftim.

Në fund, MASHTI ka thënë se vendimi i saj ishte për të përmbushur obligimet e shtetit për ofrimin e mësimit për fëmijët.

“Ne kemi përmbushur një obligim që ishte edhe literalisht i përcaktuar në Nenin 3 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar (‘MAShTI-i, komunat, institucionet arsimore […] [janë të obliguara] që të planifikojnë dhe ofrojnë shërbime efikase, efektive, fleksibile, gjithëpërfshirëse dhe profesionale, të dizajnuara për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim […]’). MAShTI-i nuk mund të mos e përmbushte një obligim të tillë pavarësisht faktit që ai mund t’i nënshtrohej kontrollit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Pas balancimit të të drejtave dhe detyrimeve të subjekteve të përfshira, mbrojtja e interesit të fëmijëve hyn në kategorinë e obligimeve parësore ligjore. Theksi i shkronjës së ligjit në fjalë ishte eksplicit sa i përket detyrimit tonë për të ndërmarrë masa ndaj kërkesave të nxënësve/prindërve të tyre. Përmbushjen e një obligimi të tillë MAShTI-i e ka bërë pa paragjykim ndaj të drejtës së kujtdo për të kërkuar rishikimin e Vendimit të tillë nga një instancë gjyqësore, që është një proces krejtësisht normal në një demokraci liberale”, thuhet në njoftim.

Related Articles