Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, thotë se Udhëzimi Administrativ që u ndalon nxënësve kosovarë bartjen e uniformës fetare në shkolla vazhdon të jetë në fuqi.
Nagavci, në një konferencë për media, tha se nuk ka ndonjë udhëzim vetëm për shaminë dhe se Udhëzimi Administrativ që mbetet në fuqi është i bazuar në karakterin e shtetit tonë dhe institucioneve publike.
“Sa i përket Udhëzimit Administrativ, është fol shumë kohëve të fundit. Dua të bëjë të qartë se nuk ka ndonjë Udhëzim Administrativ për shaminë, nuk ka pas asnjëherë me sa unë e di. E gjithë kjo fushatë që është ngritur kohëve të fundit, nuk është të themi e bazuar dhe e qëndrueshme. Është e përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe i institucioneve publike. Udhëzimi Administrativ të cilit i kanë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta”.
“Është vërtetë që ky Udhëzim Administrativ ka disa çështje ligjore, sepse preambula të cilës i referohet nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MAShTI-t. Por, e vërteta është që rekomandimet janë dhënë që ai Udhëzim të mbetet në fuqi, ne nuk mund ta ndryshojmë një nen specifik. Udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe do të shohim tutje vetëm në aspektin formal ligjor”, u shpreh Nagavci.