Ish shefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka reaguar lidhur me akuzat e prokurorisë speciale, duke mbështetur deklaratat e avokatit të tij mbrojtës.
“Me aktin e arrestimit tim dhe mbajtjen në paraburgim për 5 muaj është bërë aktgjykimi. Kemi dhjetëra raste të tjera dhe nuk ka pasur arrestime, dhe kjo tregon se çfarë pozicioni ka pasur prokuroria në këtë rast,” tha Krasniqi.
Ai shtoi se prokuroria ka tentuar të marrë rolin e aksionarit dhe të gjykojë vendimet menaxheriale që nuk kanë lidhje me Kodin Penal. “Prokuroria thotë se janë dëmtuar operatorë të tjerë, por ne nuk kemi marrë asnjë ankesë.
Po ashtu, pretendimi se kemi blerë rrymë në mënyrë të parregullt është plotësisht i pavërtetë. Në rastin e konsulencës ligjore, për të cilën flet prokuroria, nuk e di që diku është e ndaluar. Prokuroria pretendon se vartësit i kam vendosur në varësi, dhe gjithashtu thotë se kam angazhuar konsulencë ligjore pavarësisht se KEK ka zyrë ligjore. Unë nuk e di që është roli i prokurorisë të vlerësojë këtë.
” Krasniqi pohoi se gjatë periudhës që ka udhëhequr KEK-un ka pasur një krizë energjitike në të gjithë Evropën.
“Ka qenë e nevojshme të merren vendime, por gjithmonë duke pasur parasysh interesin e kompanisë dhe vendit. Për asnjë rast nuk ka pasur përfitim personal nga unë, dhe prokuroria nuk ka gjetur asnjë cent në xhirollogaritë e mia apo të familjarëve të mi.”, shtoi ai.
