Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit zëvendëssekretar në MMPHI, dhe vazhdim i masës së paraburgimit edhe për dy muaj për Naser Hafizin, ushtrues detyre i drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) pranë këtij institucioni, shkruan Enigma.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se me datë 08.11.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurit N.H. Të pandehurit N.H i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj, respektivisht nga data 10.11.2024 deri me 10.01.2025”, thuhet në përgjigjen e Gashit për “Betimi për Drejtësi”
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale ndaj të pandehurit I.B. Të pandehurit I.B i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej (1) muaj, respektivisht deri me datë 08.12.2024″, tha zëdhënësja e kësaj gjykate.
Izedin Bytyqi dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ku sipas Prokurorisë kundërligjshëm u zvogëluan miliona euro borxhe për kompanitë Fluidi, Frutti, Frutex dhe të tjerë, ndërsa Hafizi për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
Të martën e 8 tetorit, pas një aksioni të PSRK-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës të zhvilluar në objektin e MMPHI-së, Izedin Bytyqi u ndalua për 48 orë, ndërsa i ishte bastisur edhe shtëpia.
Në komunikatën e PSRK-së ishte thënë se gjatë bastisjes ishin sekuestruar një revole e tipit “Mauser-Werkr” me dy karikatorë e shtatë fishekë, 34 dokumente të ndryshme, tre telefona, 17 USB, tre laptopë, 4 shtëpiza të kompjuterit, e po ashtu dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore. Ndërsa Naser Hafizi ditën dhe kur ndodhi aksioni ishte në Francë, për t’u lajmëruar më pas që sa të mbaronte punë atje, do të vetëdorëzohej, ku më pas u bë edhe arrestimi i tij në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.