Administrata Tatimore e Kosovës të martën ka njoftuar për ndryshimin e shkallëve të tatimit për të ardhurat personale, raporton Gazeta Enigma.
“Administrata Tatimore e Kosovës ju njofton se më datën 23 gusht 2024 është publikuar në Gazetën Zyrtare Ligji Nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Ata kanë njoftuar se ky ligj ka hyrë në fuqi nga 23 gushti i këtij viti, duke njoftuar më konkretisht për ndryshimet që kanë ndodhur.
“Ky Ligj hyri në fuqi në ditën e publikimit, që do të thotë hyri në fuqi dhe filloj të zbatohet nga data 23 gusht 2024. Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 08/L-142, me nenin 5 ndryshohen shkallët tatimore të cilat janë të përcaktuara në nenin 6 të Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatim në të Ardhurat Personale’.
Deri tash, kushdo që kishte pagë mbi 250 euro, deri në këtë vlerë paguante 6.8 euro tatim. Me ndryshime tatim deri në këtë vlerë s’do të ketë dhe pagat rrjedhimisht do të rriten.
ATK-ja ka thënë se versionin e ri do ta publikojë në sistemin elektronik para ose deri më 1 shtator.
Si kalkulohej paga deri tash.
Shembull:
Paga bruto: 300 euro
Kontributi pensional: 5% punëtori (15 euro) dhe 5% punëdhënësi (15 euro)
Paga që tatohet: 300-15 (kontributi i punëtorit) = 285 euro
Shkallët tatimore deri tash në Kosovë:
Paga prej 0 – 80 euro (0 për qind tatim) = 0 euro
Paga prej 80 – 250 euro (4 për qind tatim) = 6.8 euro
Paga prej 250 – 450 euro (8 për qind tatim) = 2.8 euro (285-250=35; 8 për qind e 35 euro=2.8 euro)
Gjithsej tatimi për pagë bruto 300 euro: 0 + 6.8 + 2.8 = 9.6 euro
Paga neto: 300-15 (kontributi pensional) – 9.6 euro (tatim) = 275.4 euro
Ndërkaq me ligjin e ri, shkalla tatimore ndryshon dhe ajo e dyta, prej 4 për qind hiqet. Pra, çdo punëtor do të paguajë 6.8 euro më pak tatim për pagë. Në rastin me 300 euro pagë bruto, paga neto do të ishte 282.2 euro.
Ky Ligj në fund të qershorit u vlerësua nga Gjykata Kushtetuese se nuk e shkel Kushtetutën.
Paga minimale në vend do të bëhet 264 euro bruto, nga 130-170 sa ishte qe 11 vjet.
Sipas Qeverisë, nga ndryshimi i shkallës tatimore përfitojnë rreth 380 mijë punëtorë./ Gazeta Enigma.