Në fundjavë mbahet kampionati i dytë shtetëror i Kosovës në golf

Në fundjavë mbahet kampionati i dytë shtetëror i Kosovës në golf

Federata e Golfit të Kosovës njoftoi për organizimin e Kampionatit të dytë shtetëror të Kosovës në golf i cili do mbahet këtë të shtunë me datë 2 tetor në Resortin e Golfit Heitlinger Genusswelten në Ostringen të Gjermanisë e ku pritet të marrin pjesë rreth 55 lojtarë të Kosovës, duke përfshirë edhe pesë lojtare femra, tha Lavdim Zylfiu për Gazeta Enigma.

Lojtarët që do të marrin pjesë në këtë garë do të bashkohen nga vende si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Suedia, Zvicra, Austria, Holanda, Kosova, dhe nga brenda Gjermanisë.

Paraprakisht nënkryetari i Federatës së Golfit të Kosovës, Lavdim Zylfiu, në një konferencë për media tha se ky është kampionati më madhështor i organizuar ndonjëherë nga Federata e Golfit e Kosovës, ndërsa enkas për Gazeta Enigma sqaroi se ky eveniment mbahet në Gjermani edhe kësaj radhe, pasi kushtet e kanë determinuar një gjë të tillë.

“Me datë 2 tetor të këtij viti, pra ditën e shtunë, do të mbahet kampionati shtetëror i Kosovës në golf dhe njëherazi ky do të jetë kampionati më madhështor që është organizuar ndonjëherë për shtetin e Kosovës. Do të marrin pjesë për herë të parë një numër shumë i madh i lojtarëve që do të jetë për herë të parë rreth 55 lojtarë të cilët do të udhëtojnë nga nëntë shtete të ndryshme, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj nga Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Suedia, Zvicra, Austria, Holanda, nga brenda Gjermanisë si dhe nga Kosova. Ky kampionat do të jetë i regjistruar në Federatën Evropiane të Golfit dhe do të njihet në të gjitha shtetet e botës dhe njëherazi do t’i paraprijë anëtarësimit të Federatës së Golfit të Kosovës në EGA e cila është organizata më e fuqishme në Evropë”, ka deklaruar ai.

Sot me datë 28.09.2021 nga ora 11:00 është mbajtur Konferenca e Federatës së Golfit të Kosovës me rastin e organizimit…Posted by Federata e Golfit e Kosovës on E martë, 28 shtator 2021

Zylfiu njoftoi poashtu se fatkeqësisht në këtë kampionat nuk do të paraqitet kampioni Mërgim Gjinovci, ndërsa shpalosi synimet që kjo Federatë ka e që është kualifikimi për në Olimpiadën e Parisit ose edhe të Los Anxhelosit, në mungesë të një fushe të golfit në Kosovë, Shqipëri apo vendet tjera të Ballkanit.

Flet Lavdim Zylfiu, nënkryetar i Federatës së Golfit të Kosovës

“Fatkeqësisht në këtë kampionat nuk do të marrë pjesë kampioni nga vitit 2019 që është Mërgim Gjinovci, i cili ka një lëndim shumë serioz, që ka ndodhur para dy javësh, por them me përgjegjësi që skuadra apo skuadra sepse do t’i kemi diku rreth 15 ekipe të cilat posedojnë një kualitet të jashtëzakonshëm dhe në mesin e këtyre do të kemi lojtarë të cilët gjithashtu potencial do të kenë Olimpiadën dhe ëndrra jonë padyshim më e madhja është që Kosova të ketë një paraqitje në lojën e golfit, qoftë në Olipiadën e Parisit më 2024 ose në vitin 2028 (Los Anxhelos) dhe ky është synimi ynë kryesor përveç masovizimit dhe promovimit të këtij sporti në Kosovë dhe jashtë saj”, tha ai.

Zylfiu shtoi se nga lojtarët që do të marrin pjesë do të jenë edhe pesë lojtare femra, dy prej të cilave lojtare profesioniste.

Ky kampionat, për herë të parë, do të ketë edhe mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.

“Nga të gjithë këta lojtarë që i përmenda 55 sosh, në mesin e tyre do t’i kemi edhe 5 lojtare femra, dhe dy prej tyre do të jenë lojtare profesionale. Për herë të parë do ta kemi një kampionat i cili do të jetë në përkrahje të Qeverisë së Kosovës. Për shkak të madhështisë së kampionatit ne kemi ftuar disa personalitete që të udhëtojnë së bashku me ne në Gjermani në Resortet e golfit në qytezën Oslingen, ku do të mbahet ky kampionat”, shtoi Zylfiu.

Federata e Golfit të Kosovës për herë të parë në Prishtinë është themeluar më 17 tetor të vitit 2018.

Related Articles