Futbollistët e kombëtares së Kosovës duhet të fokusohen në fitore ndaj Qipros në “Fadil Vokrri”, shkruan Enigma.
Përveç triumfit të “Dardanëve”, është e nevojshme që Rumania të dështojë në ndeshjen e saj ndaj Lituanisë.
Aktualisht, në Grupin 2 të Ligës C të “UEFA Nations League”, Rumania udhëheq me tre fitore në po aq ndeshje, ndërsa Kosova ka regjistruar dy fitore dhe një humbje, pikërisht ndaj liderit.
Nëse Rumania dështon të fitojë ndaj lituanezëve, ndeshja e ardhshme në Bukuresht do të shndërrohet në një finale për reprezentacionin kosovar. Një fitore atje do të siguronte vendin e parë në grup, duke hapur rrugën për një mundësi kualifikimi në kampionatin botëror përmes Ligës së Kombeve.
Në rastin më të keq, nëse si Kosova ashtu edhe Rumania fitojnë sonte, në ndeshjen e fundit, kombëtarja jonë do të duhet të fitojë me katër gola diferencë.
Ndeshja Kosovë – Qipro fillon në orën 20:45 dhe do të transmetohet në RTK.