Një 35-vjeçare ka humbur jetën gjatë trajtimit për një problem dentar në një klinikë të licencuar për shërbime gjinekologjike në Malishevë.
Nën dyshimet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor Policia e Kosovës ka arrestuar një stomatolog dhe motrën e tij, që është themeluese e klinikës.
Ordinanca “Doktorët” ka funksionuar për vite të tëra rreth 50 metra në distancë nga objekti i Urgjencës së këtij qyteti, e më vonë është zhvendosur në shtëpinë private të të arrestuarve.
Pa logo e pa shenjë identifikuese, ky objekt vështirë identifikohet nga jashtë si klinikë shëndetësore.
Në familjen e të vdekurës në Ngucat thanë se nuk kanë shumë informata për rastin, porse gruaja 35-vjeçare e kishte dërguar fëmijën e saj për shërbim stomatologjik dhe më pas kishte dashur të largonte disa mbetje të një dhëmbi.
“Ka shku për me e hjek një dhemb. Pastaj kemi marrë lajmin që gjendja është tragjike. Edhe s’ka shku as gjysme ore, edhe ka thirrë tha e ndjera ka ndërruar jetë”, ka thënë Hamdi Hoxha, familjar i viktimës.
Ky familjar ka përcjellë edhe versionin për momentin kritik, të cilin e ka ndarë me të bashkëshorti i së ndjerës.
“Ka shku e ka marrë qat gjilpërë. Sa e ka marrë gjilpërën (ineksjonin) ka humb ndjenjat. Aty për aty ka pasë brenda sekondash…tash bashkëshorti që na ka tregu ju ka ënjtur pak edhe punë sekondash ka humbur ndjenjat dhe vetëm me dorë ka thënë që nuk po muj ma. Ka humbur frymëmarrjen, është bllokuar krejt”, ka thënë ai.
Kjo 35-vjeçare ishte nënë e katër fëmijëve dhe të enjten ajo dhe familja e saj kishin planifikuar të ktheheshin në Itali, ku jetonin prej vitesh.
Klinika “Doktorët” është licencuar në vitin 2021 vetëm për shërbimet gjinekologjike në emër të familjarëve të stomatologut të arrestuar. Në të njëjtën kohë, ky stomatolog ka hapur një klinikë dentare, por për të siguruar subvencionim për specializim të tij në stomatologji, formalisht kishte pezulluar punën në ordinancë, por dyshohet se shërbimet e njëjta i ofronte jashtëligjshëm në ordinancën gjinekologjike.
KOHA ka pyetur në Ministrinë e Shëndetësisë se sa herë është inspektuar kjo klinikë që nga licencimi. Bazuar në përgjigje, ajo nuk është vizituar asnjëherë.
“IPSH ‘Doktorat’ në Malishevë nuk është inspektuar më parë nga Inspektorati Shëndetësor”, thuhet në komunikatën e MSH-së.
Burimet e KOHËS treguan se përveç shërbimeve të stomatologjisë, në këtë klinikë jashtëligjshëm janë dhënë edhe shumica e shërbimeve të tjera shëndetësore, si ato urologjike, kardiake, të mjekësisë familjare e pediatrike.
E, pas rastit, në klinikë janë hasur peshore për foshnja, beberone e mjete të tjera që nuk lidhen me profilin gjinekologjik për çka është licencuar.
Një burim tha se më e pazakonta që është hasur, është një fletore me shënime për terapinë që duhet t’u përshkruhet foshnjave.
Nga ajo çka ka parë KOHA në këtë fletore janë të shkruara këto porosi: “Kur e ka pak fytin e skuqur, vjellje ose barkqitje jepet tek fëmijët mbi 2 vjeç sirup Trimox 240 mg, 2 herë nga 5 mililitra, flacone Picolactis një herë në ditë nga një 2 ditë, equidral çdo 5 minuta nga një lugë”.
Porosi janë dhënë edhe për terapinë që duhet shkruar fëmijëve të sëmurë nën 2 vjeç.
Instruksione jepen për terapinë që duhet t’u jepet fëmijëve kur kanë shumë temperaturë e fyt të qelbëzuar, e edhe për vitaminat që duhet përshkruar.