Fahrie Voca, jeton në pjesën jugore ndërsa me Mitrovicën Veriore e lidhin vetëm kujtimet e së kaluarës; shoqëria dhe shkolla e mesme e mjekësisë para viteve të 90-ta.
Vizita në këtë pjesë i ngjallë nostalgjinë, por kësaj radhe ka një hall tjetër. Ajo shpjegon se në veri shkon për të blerë barna që po mungojnë në jug, por shpesh edhe shkaku i çmimit.
Megjithatë, jo në çdo orë i bën këto lëvzije.
“Për besë më herët kemi ardhur pak më shpesh, mirëpo tash normal që ka ndikuar (barrikadat) pak a shumë, sepse duke i përmend ato bandat, ato. Edhe sot për shkakun se është ditë tashmë për ata kemi ardhur, ditën nuk kemi frikë, mbrëmjeve secili largohet për mos me ardhë deri tek ndonjë konflikt”, deklaron ajo.
Por, Fahrie Voca nuk është e vetmja që furnizohet me barna në Mitrovicën Veriore.
“Në pjesën jugore të qytetit ku edhe jetoj edhe me pasë barna janë shumë më shtrenjt, fatkeqësisht i njëri ilaq kushton më shtrenjt andej. Edhe këto ilaqe që i bleva këtu nuk i kamë gjetur në pjesën jugore, prandaj kam ardhë këtu”, tregon Zahit Preteni, i cili jeton në pjesën jugore.
Veriu është zgjidhje edhe për meraklitë e bastores.
“Vallahi erdha këtu veç me e lujt këtë tiketë (bastore sportive), tash sa mbusha (shkruajta). Në atë lokal ka edhe tontë (shqiptarë), edhe serbë”, shprehet një qytetar nga jugu që nuk dëshiroi të tregoj emrin.
Bastoret sportive që janë të ndaluara në pjesën tjetër të Kosovës nuk janë e vetmja formë e ilegalitetit. Bllokadat në drejtim të pikave kufitare vazhdojnë të pamundësojnë qarkullimin nëpër rrugët kryesor, ndër to ajo në hyrje të Rudari në Zveçan dhe në hyrje të Zubin Potokut në Zupç.
Për dallim nga barrikada në Rudar ku po qëndron KFOR-i, në lagjen e boshnjakëve policia nuk po lëvizë. Gjatë ditës, situata ishte e qetë për dallim nga mesnata kur policia raportoi për shpërthim të një shok-bombe, afër shkollës teknike. Si pasojë e këtij shpërthimi janë raportuar thyerje të disa xhamave në katër lokale, në dy prej të cilave nuk zhvillohet ndonjë biznes. Edhe në afërsi të Kroit të Vitakut rreth mesditës është raportuar për një shpërthim të ngjashëm.