Një 13-vjeçare po dyshohet se është dhunuar seksualisht nga një 20-vjeçar në qytetin e Vitisë. Rasti ka ndodhur në shkurt të këtij viti, por është raportuar në shtator, kur viktima tashmë është në muajin e tetë të shtatzënisë.
“Jam frigu tha prej teje. Domethënë prej prindit. Jam frigu me tregu. Kom mendu se hajt kurgjo nuk është”. Kështu nis rrëfimin prindi (duke cituar fjalët e vajzës) për një ngjarjeje tepër të rëndë që ka goditur një familje në shkurt të këtij viti në qytetin e Vitisë.
Vajza 13-vjeçare atëherë, e tash 14 vjeçare, është dhunuar seksualisht nga një person rreth të 20-tave.
Por, ky rast i rëndë në stacionin policor është raportuar tek para tre ditësh.
Se rasti është denoncuar më 20 shtator e konfirmojnë edhe burime nga Policia, të cilët thonë se me rastin po merret prokurori për të mitur.Reklama
Krejt kjo ka ndodhur kur në pah ka dalë një fakt që e rëndon edhe më shumë ngjarjen. Vajza e mitur tashmë është në muajin e tetët të shtatzënisë.
Babai i viktimës ka thënë se rasti ka ndodhë para 7-8 muajsh përafërsisht.
“Nuk e ka vërejt askush prej shtëpisë se vajza e re, nuk ka pasë simptoma të shtatzënisë. E ka vërejtur vajza e tretë. E kemi dërgu te mjeku, ka dalur se është shtatzënë. Me rastin është marr policia, dihet personi kush është, por faktikisht ai është jashtë”, tregon babai i vajzës.
Detajet, thotë se i dinë vetëm organet e rendit pasi informacione vetë nuk kanë mundur të nxjerrin për shkak të gjendjes psikologjike të vajzës.
“Këto i dinë policia. Na nuk kemi kurrfarë informacioni, as që i kemi bo pyetje çikës, se çika e re, po e ngarkojmë, mundemi me deviju edhe ma keq”, tha babai i 13-vjeçares.
Përderisa tashmë është vonë për një abort, babai i vajzës nën emocione tregon se çfarë do të ndodhë me fëmijën që pritet ta sjellë në jetë vajza e tij.
“Unë i dalë në krahë vajzës time. Nuk e lë vajzën time në baltë. Sa për fëmijën, nëse nuk e merr ai, e marrim ne, edhe pse është fëmija i dhunuesit. Por, fëmija është i pafajshëm”, u shpreh babai i 13-vjeçares.
Meqë qyteti i tyre nuk është i madh, babai tregon se ka gjetur shtëpinë e tashmë të dyshuarit dhe është përballur me babain e tij, të cilit ia ka dhënë një mesazh.
“Kur ta zbardhë drejtësia këtë rast, që djali yt është dhunuesi, ke me pasë punë me drejtësi, por edhe me Kanun”, tregon ai fjalët që ia ka thënë babait të dhunuesit.
Babai i viktimës që është edhe veteran i UÇK-së, thotë se nuk ka besuar që pas luftës do të përballet me një situatë të tillë.
“Për këtë shtet kam luftu. Për këtë shtet e kam rrokë armën, për këta fëmijë që me pasë një të ardhme pak më të mirë.”
Nga prokuroria themelore në Gjilan nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës, por me Televizionin ka folur Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Viti, Demush Mehmeti.
Ai ka thënë se rasti është cilësuar si keqpërdorim seksual, teksa thotë se me vajzën do të merret Qendra për Punë Sociale edhe pse ndryshe ka pohuar babai i viktimës, kur potencoi se që nga marrja në pyetje asnjë psikolog as punëtore sociale nuk e ka takuar më vajzën
Demush Mehmeti nga Qendra për Punë Sociale në Viti ka thënë se janë njoftuar prej shtëpisë së shëndetit.
“Edhe policia dhe kemi qenë prezent për intervistimin e saj. Është nën moshën 18 vjeçare, ka mbet shtatzënë. E ka paraqit një emër, i cili është jashtë. Qendra Sociale tash e përcjellë rastin varësisht pala çfarë ndihme kërkon”.
Ndërkohë, policia u ka thënë familjarëve të viktimës se shteti i Kosovës do të komunikojë me organet e rendit në shtetin e Zvicrës, ku pretendohet se ilegalisht po qëndron i dyshuari.