Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka emëruar Nenad Vukmiroviqin ushtrues të detyrës së ministrit për Komunitete dhe Kthim.
Vukmiroviq, i cili deri tani ka shërbyer si zëvendësministër në këtë dikaster, zëvendëson Nenad Rashiqin, pas zgjedhjes në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.
“I lindur në Mitrovicën e veriut në prill të vitit 1979, Vukmiroviq është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës dhe informatikës. Ai ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm në qytetin e lindjes dhe më herët ka ushtruar detyrën e drejtorit të Arsimit në Komunën e Mitrovicës së Veriut”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë.
Kurti e ka uruar Vukmiroviqin për përgjegjësinë e re dhe i ka dëshiruar suksese në përmbushjen e detyrave të tij në krye të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.