Iniciuesi i peticionit për Trustin, Adnan Jashari, ka kërkuar edhe njëherë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të votojnë pro projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Në veçanti Jashari, ka kërkuar nga deputetët e opozitës që të qëndrojnë në sallë, dhe të mos ndodhë e njëjta gjë sikurse herën e parë.
Ai ka treguar se janë 45 deputetë që do të votojnë pro këtij projektligji.
“Po bëjmë thirrje vazhdimisht që edhe deputetët e opozitës të votojnë pro dhe të mos ketë mungesa, sepse në rast se do të ketë mungesa nga opozita do të humbet motivi edhe për ndonjë deputet të Vetëvendosjes që të votojë pro, prandaj janë gjithsej 45 deputetë por deri më tani duke përfshirë opozitën 43 deputetë dhe Duda Balje e Fatmir Humolli që kanë thënë se do të votojnë pro”, ka deklaruar Jashari për Front Online.
LEXO EDHE: Projektligji për Trustin votohet sot në Kuvend, s’dihet epilogu
Thirrjen për të qëndruar në sallë të deputetëve të opozitës, Jashari thotë se e bën për shkak që pastaj pozita mos të ironizoj me mungesat e tyre.
“Tërë kohën jemi duke bërë thirrje që edhe deputetët e opozitës të mos mungojnë sikurse herën e kaluar, kur ka pas disa mungesa, e pastaj edhe pushteti ironizojke me ato mungesa dhe u thoshte se nuk jeni serioz në kauzën tuaj. Tashmë që kauza është qytetare duam të ju bëjmë thirrje të gjithëve pa marrë parasysh pozitë apo pushtet”, është shprehur ai.
I, pyetur se a ka sinjale prej ndonjërit prej deputetëve të pushtetit që të votojë pro këtij projektligji, Jashari thotë se iu ka bërë thirrje edhe deputetëve të pozitës që kanë abstenuar në komision të votojnë pro.
“Në Komision Parlamentar janë disa deputetë të Vetëvendosjes që nuk kanë votuar kundër, por që kanë abstenuar dhe iu kam bërë thirrje edhe ato ditë kur kam qenë në Komision por edhe tash që mos të abstenojnë, por të votojnë pro, prandaj shpresojmë që në rastin kur ata e shohin se edhe deputetët e opozitës janë mobilizuar dhe ndoshta kur e shohin që për pak vota duhet të kalojë atëherë ka mundësi që ata deputetë që po dallojnë me qëndrime kohëve të fundit në VV mund të votojnë pro”, ka thënë ndër të tjera Jashari.
Kurse, në rast të mosvotimit në Kuvend, Jashari thotë se mund të ketë revoltë qytetare.
“Në rast të mos kalimit do të ketë një zhgënjim dhe revoltë të madhe të qytetarëve për shkak se do të iu humb mundi i tyre për t’i mbledhur nënshkrimet në gjithë Kosovën, gjithashtu edhe gjendja ekonomike do ta bëjë të vetën dhe qytetarët nuk kanë më durim dhe besoj do të jetë një revoltë ndryshe e që ne kemi frikën se do ta eskalojë, por që shpresojmë që mos të vie puna deri aty që të mos kalojë dhe mos t’i lëm qytetarët ku nuk kanë një zgjidhje tjetër, nuk dinë çfarë të bëjnë të dalin të protestojnë apo ta sigurojnë ushqimin për familjet e tyre”, ka deklaruar iniciuesi i peticionit për Trustin, Adnan Jashari.
Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.
Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti ka nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe ka zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.Sipas të dhënave të Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribuues.
Depozitat në bankat e Kosovës, gjatë vitit 2021, kanë shënuar rritje prej 11 për qind. Një raport i Institutit GAP, me seli në Prishtinë, ka vlerësuar se në 40 për qind të kësaj rritjeje ka ndikuar tërheqja e kursimeve nga Trusti, të cilat janë deponuar në llogari private, por nuk janë shpenzuar menjëherë.
Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thonë se norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin mars të vitit 2022, në krahasim me marsin e vitit 2021, ka qenë 10 për qind.