Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ende nuk ka arritur të konstituohet plotësisht.
Një tentativë e shtatë në këtë drejtim do të bëhet nesër. Kjo do të jetë seanca e shtatë çdo 48 orë, që nga 15 prilli.
Nga VV-ja e kanë bërë të qartë se nuk do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Në katër votime, ajo s’ka marrë votat e nevojshme. Nga 61 sa duhen, Haxhiun e kanë votuar vetëm 57 deputetë.
Partitë e tjera, PDK, LDK dhe AAK kanë kërkuar nga Vetëvendosje që të gjejnë një kandidat unifikues për këtë post, ngase siç kanë thënë ata emri i Albulena Hahxiut, për ta është i papranueshëm.
Vetë Haxhiu të premten pas dështimit të saj të katërt për t’u zgjedhur kryeparalamentare ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.
Haxhiu tha se janë të gatshëm që të flasin me partitë e tjera për datën e zgjedhjeve.
“Është e rëndësishme të konstituohet Kuvendi i Kosovës, VV-ja tashmë e ka dhënë qartë qëndrimin e saj, duket se ka mungesë të vullnetit të konstituohet Kuvendi, por ne jemi të gatshëm t’i presim partitë politike, të flasim me to për datën e zgjedhjeve”, ka thënë Haxhiu të premten.
Në këtë situatë është bërë bërë thirrje që presidentja Osmani të ndërmarrë iniciativë duke mbledhur liderët e partive në një takim të përbashkët për të gjetur një zgjidhje.
Presidentja Vjosa Osmani është shprehur e gatshme të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike.
Këshilltari për media, Bekim Kupina, tha se Presidentja është e hapur për konsultime me liderët e partive politike në çdo kohë që ata e konsiderojnë të përshtatshme.
“Presidentja Osmani tashmë ka ofruar gatishmëri të plotë për konsultime me liderët e partive, kurdo që ata e shohin të nevojshme. Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës z.Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme”, tha Kupina.
Seanca e nesërme pritet të mbahet në ora 10:00.