Nga kompania turistike, “Deva Tours” nga Gjakova janë deklaruar për Gazetën “Enigma”, pas aksidentit tragjik në Kroaci, ku humbën jetën 10 persona, raporton Gazeta “Enigma”.
Autobusi i kësaj kompanie mëngjesin e sotëm u aksidentua tragjikisht në Slavonski Brod të Kroacisë, po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë. Nga ky aksident kanë vdekur të paktën 10 persona.
“Po, autobusi ka pasur brenda mërgimtarë që po vinin në Kosovë”, kanë pohuar nga kjo kompani.Rreth 30 persona janë të lënduar. Nuk janë të bllokuara, janë shpërndarë nëpër spitale në rrethinë”, kanë thënë nga kjo kompani.
Ndërkaq, deputetja e vetme shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, ka thënë se informatat janë që 10 persona kanë vdekur e 30 të tjerë janë të lënduar, ndonëse siç ka thënë, nuk dihet se sa rëndë janë të lënduar.
Prljaskaj ka thënë se tashmë është në rrugë për të shkuar në vendin e ngjarjes, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli.
“Unë jam nisur për atje, edhe ambasadori i Kosovës Gëzim Kasapolli është nisur për atje e po ashtu edhe ministri i Punëve të Brendshme dhe ai i Shëndetësisë. Do të kemi përafërsisht dy orë rrugë dhe pasi të kemi mbërritur në vendin e ngjarjes do t’ju njoftojmë më detajisht për rastin tragjik”, ka thënë Lekaj-Prljaskaj./Gazeta Enigma.