Mbi 1,300 persona të vdekur në Kosovë nga COVID-19 vetëm në vitin 2021

Mbi 1,300 persona të vdekur në Kosovë nga COVID-19 vetëm në vitin 2021

Që nga një janari e deri më 6 shtator të këtij viti, në Kosovë janë shënuar 1,353 persona të vdekur si pasojë e komplikimeve nga koronavirusi.

Kështu bëhet e ditur në uebfaqen zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilët kanë bërë një përllogaritje javore të rasteve dhe numrit të vdekjeve që prej fillimit të pandemisë e deri më tani.

Që në nisje të paraqitjes së rasteve të para, e deri të hënën, 2,718 persona kanë humbur betejën me koronavirus.

Numri total i të vdekurve
Burimi: OBSH

Ndërkaq, numri i rasteve që prej periudhës së fillimvitit e deri më 6 shtator ka shkuar në 101,787 raste të infektimit me COVID-19.

Numri total i të infektuarve nga kjo periudhë, sipas OBSH’së është 155,267 persona. Vetëm përgjatë këtij viti, 103,579 janë të regjistruar si të sëmurë me koronavirus.

Numri total i rasteve me koronavirus
Burimi: OBSH

Kosova rekordin e saj për kah numri i vdekjeve e ka shënuar përgjatë periudhës 9 gusht – 6 shtator. Vetëm përgjatë kësaj kohe, 448 persona kanë vdekur si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga virusi.

Ndërkaq, të premten vendi shënoi rekord të ri për kah numri i të vdekurve. Në raportin 24-orësh të Ministrisë së Shëndetësisë, u tha se janë regjistruar 30 viktima si pasojë e COVID-19. Një shifër e tillë nuk ishte raportuar më parë, që prej fillimit të pandemisë e deri më tash.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përgjatë ditës së sotme ka mbajtur një takim me krerët e komunave, të cilëve ua ka kumtuar lajmin se masat aktuale do vazhdojnë edhe pas 13 shtatorit.

Siç ka njoftuar kjo ministri gjatë ditës, vendi ka arritur t’i administrojë një milion vaksina.

Related Articles