KQZ tregon a duhet të ofrohet dëshmi e vaksinimit apo test negativ ditën e zgjedhjeve lokale

KQZ tregon a duhet të ofrohet dëshmi e vaksinimit apo test negativ ditën e zgjedhjeve lokale

Se a do të lejohen të votojnë qytetarët e Kosovës më 17 tetor, pa qenë të vaksinuar apo pa test negativ, kanë njoftuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor, shkruan Gazeta “Enigma”.

Pavarësisht vendimit të Qeverisë së Kosovës, të 24 shtatorit, ku qytetarët e pa vaksinuar kufizohen në një seri aktivitetesh, kështu nuk do të ndodh me ata qytetar që ia ‘mësyejnë’ kutive të votimit.

Kështu ka theksuar në një prononcim për Gazeta “Enigma”, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Ai ka deklaruar se nga votuesit KQZ-ja kërkon zbatimin e masave të cilat tashmë janë në fuqi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të kërkojë nga votuesit që të dëshmojnë se janë të vaksinuar apo se kanë rezultuar negative në testin për COVID-19. Nga votuesit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon zbatimin e masave që tashmë janë të njohura. Këto masa, të cilat kanë ardhë si rekomandime/këshilla nga institucionet shëndetësore, janë miratuar nga KQZ-ja në udhëzimin për masat që duhet të zbatohen nga votuesit dhe stafi zgjedhor në ditën e zgjedhjeve”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, votuesit duhet të mbajnë distancën fizike 2 metra gjatë kohës sa janë duke qëndruar në hyrje të qendrës së votimit apo vendvotimit.

“Gjithashtu, votuesit duhet të mbajnë maskën mbrojtëse gjatë gjithë kohës, me përjashtim kur duhet të identifikohen nga anëtari i këshillit të vendvotimit. Në vendvotim do të vendosen edhe dezifenktuesit, të cilët do t’i shërbejnë votuesve për t’i dezinfektuar duart në hyrje dhe dalje të vendvotimit”, potencoi ai.

KQZ-ja dëshminë e testit negativ ose dëshminë e vaksinimit e ka paraparë t’ua kërkoj vetëm stafit zgjedhor dhe vëzhguesve të zgjedhjeve.

Elezi ka shtuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me një shkresë të veçantë subjekteve politike të cilat janë certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2021.

“Kemi kërkuar nga subjektet politike që të inkurajojnë të gjithë të nominuarit e tyre, qoftë si staf zgjedhor apo si vëzhgues, që të respektojnë këto masa. Nga anëtarët e Këshillave të Vendvotimit dhe nga Vëzhguesit, do të kërkohet që ta posdojnë të paktën njërin nga këto dokumente: Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19; Testin PCR negative për COVID-19 jo më i vjetër se 72 orë; Dëshminë se personi e ka kaluar COVID-19, testin PCR pozitiv, i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë, ose rezultat i testit pozitiv të antitrupave serologjik IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve; dhe Testin e shpejtë antigjen negative jo më i vjetër se 48 orë”, ka thënë Elezi./Gazeta Enigma.

Ndryshe të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë. Sipas KQZ-së, në këto zgjedhje janë 90 mijë e 586 votues më shumë, krahasuar me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Related Articles