Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar masën e paraburgimit dy të miturve G.J dhe XH.S, të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë. Në paraburgim tashmë gjenden edhe dy të dyshuar të tjerë, derisa i pesti është identifikuar, por ndodhet ende në arrati.
Komunikata e plotë:
Prishtinë, 30 gusht 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturve G.J dhe XH.S për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të Dhunimit.
Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të miturve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj një të miture dhe me lënien në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia, ekziston rreziku që të njëjtit do ti asgjësojnë, fshehin,
ndryshojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.