Gjatë ditës së sotme mediumi A2 News ka raportuar se në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën kështu rezulton në një dokument të bërë publik këtë të hënë nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano
Gazeta Enigma ka dërguar pyetje në kryeministri se a ishin të njoftuar për këtë rast, ata janë përgjigjur se Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga AKI-ja dhe se institucionet e sigurisë i kishin marrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi”, thuhet në përgjigjen e kryeministrisë për Gazetën Enigma.
Nga Qeveria e Kosovës kanë bërë me dije se rasti nuk ishte bërë publik për mos të përhapur panik te qytetarët.
“Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”, thonë nga kryeministria./GAZETA ENIGMA/