Sondazhi i publikuar mbrëmë i cili nxorri fituesit dhe humbësit në “zgjedhjet e reja” ka aktivizuar opozitën e vendit. Njëri e qujti propagandë, tjetri e thirri Prokurorinë për hetim, ndërsa dikush e ftoi kryeministrin të maten në zgjedhje.
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, Lëvizja Vetëvendosje do të printe e para në listë, duke kryesuar me 48.5 për qind.
Kështu zbulon sondazh i publikuar mbrëmë në Debat Plus i zhvilluar nga UBO Consluting.
Sipas të njëjtit Partia Demokratike del e dyta me 18.2%, Lidhja Demokratike e treta me 17.9% ndërsa Aleanca për Ardhmërinë renditet e katërta me 6.8%.
Ky sondazh ka aktivizuar krerët e opozitës dhe jo vetëm.
I menjëhershëm ishte reagimi i Lumir Abdixhikut, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili sonadazhin e quajti “propagandë të lodhur”.
Ai në orët e vona publikoi sondazhin e partisë së tij, për të cilin tha se janë anketuar 17 mijë veta.
“Në pyetjen se, nëse zgjedhjet nacionale mbahen këtë të diel, për cilën parti do të votonit, rezultatet për LDK, të marra deri më tani vetëm për 5 qytete në regjionin qendër janë: Prishtinë 35%; Lipjan 42%; Podujevë 35%; Obiliq 36%; Fushë Kosovë 34%”, ka shkruar Abdixhiku në orët e vona.
Anketat si këto, Abdixhiku thotë se do të bëhen gjithandej Kosovës, dhe do të publikohen me kohë.
“Do t’i publikojmë vetëm për LDK-në sepse duam të ruajmë korrektësinë ndaj palëve tjera”.
“Këto matje u janë prezantuar tashmë stukturave udhëheqëse të partisë, në takime të brendshme. Nuk kemi dashur t’i bëjmë publike meqë i kemi konsideruar si mjete të orientimit tonë. Të dhënat si këto, mbresëlënëse, ndonëse vetëm për një regjion, ishin shenjë e qartë e rrugëtimit tonë”.
Tutje sondazhin e bërë nga UBO e ka quajtur “shenjë paniku e frike”.
“Lajmi, ndonëse i komunikuar vetëm brenda, duket se ka arritur të marr jehonë. Dhe në këtë arritje jehone, ka aktivizuar propagandën. Propaganda u shpërfaq sonte. Me 800 përgjigje. Jo 17 mijë. Siç edhe e kishim pritur tashmë”.
“Ajo mbetet vetëm shenjë paniku e frike. Dhe në këtë panikë e frikë s’dua të flas as për kredibilitetin e kompanisë që në zgjedhjet e fundit lokale, një natë para votimeve, na kishte vendosur në vend të tretë në Prishtinë; as për mediumin që vazhdon të besojë se vetëprofecia e sondazheve do të funksionojë sërish”, shkruan Abdixhiku
Në anë tjetër, kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje Prokurorisë të interesohet paratë me të cilat paguhen sondazhet.
Derisa nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit të shkojnë në zgjedhje.
“Kryeministër, nëse je vërtetë i kënaqur me sondazhet, hajde shkojmë në zgjedhje. Edhe ashtu, prej korrikut të kemi lutë me e shpërnda Kuvendin. Çohu shkojmë në zgjedhje, edhe e merr vesh tamam se qysh i ke numrat edhe sa janë të kënaqur qytetarët me qeversijen tënde, e cila do të shkoj n’histori si më e dështuara ndonjëherë”, ka shkruar Çitaku.