Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, nga 8 maj është ftuar për një vizitë zyrtare në Izrael nga minisri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Yair Lapid, përcjellë Gazeta Enigma.
Ministrja Gërvalla do të pritet nga homologu i saj Lapid, ku më pas do të zhvillojë takime me kryetarin e Jerusalemit Moshe Leon, ministrin për Jerusalemin dhe Trashëgiminë Zeev Elkin, kryetarin e Federatës Izraelite të Odës Ekonomike Uriel Lynn dhe një grup mërgimtarësh, të cilët jetojnë në Izrael.
Ndër temat kryesore që do të diskutohen në këtë vizitë do të jenë avancimi i marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare.
Nga njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, me qëllim të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe do të nënshkruhen katër marrëveshje të bashkëpunimit, përmes të cilave Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Izraelit do të angazhohen për të promovuar dhe intensifikuar bashkëpunimin në fushën e edukimit, kulturës, bashkëpunimit ekonomik, bujqësisë, ujërave, shkencës, teknologjisë, inovacionit, shëndetësisë dhe fushave të tjera me interes të përbashkët.
Vizita e ministres Gërvalla në këtë shtet është e para e një ministri të Punëve të Jashtme të Kosovës, që nga njohja e Republikës së Kosovës nga Izraeli./ GazetaEnigma