Ngritja e çmimeve, ministrja Haxhiu fton Prokurorinë të ndërmarrë menjëherë veprime

Ngritja e çmimeve, ministrja Haxhiu fton Prokurorinë të ndërmarrë menjëherë veprime

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazike të konsumatorëve nga subjektet tregtare.

Ajo, përmes një postimi në profilin e saj në Facebook ka shkruar se ky orkestrim është vepër penale në mënyrë të dyfishtë, me burgim (1-5 vite) si dhe dënim shtesë me gjobë, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Ditëve të fundit dhe sidomos sot kemi vërejtur një ngritje enorme, aspak normale dhe tërësisht të paarsyeshme të çmimeve të produkteve ushqimore bazike të konsumatorëve nga subjektet tregtare. Kjo tendencë për keqpërdorim të situatës e dëmton jashtëzakonisht xhepin e qytetarëve dhe duhet të marrë fund sa më parë”, ka shkruar Haxhiu.

Tutje ajo ka thënë se “një kurdisje dhe orkestrim të të cilit po jemi dëshmitarë, është vepër penale e sansksionuar në mënyrë të dyfishtë, me burgim (1-5 vite) si dhe dënim shtesë me gjobë, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”.

Haxhiu ka ftuar Prokurorinë që të ndërmarrë menjëherë masa kundër abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm.

“Ftoj Prokurorin e Shtetit, që bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përcaktuara, të ndërmarrë menjëherë veprime në përputhje me mandatin e tij, kundër abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm që me veprimet e tyre po dëmtojnë qytetarët e vendit tonë”, ka shkruar Haxhiu./Gazeta Enigma/

Related Articles