Nikki Haley sfidon ish-Presidentin Trump në garën për Shtëpinë e Bardhë

Nikki Haley sfidon ish-Presidentin Trump në garën për Shtëpinë e Bardhë

Nikki Haley, ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut dhe ish-ambasadorja amerikane në OKB, njoftoi të martën kandidaturën e saj për presidente, duke u bërë kështu edhe kandidatja e parë e rëndësishme përballë ish-Presidentit Donald Trump, në garën për të siguruar kandidimin zyrtar nga Partia Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Zonja Haley, 51-vjeç, është e para nga një radhë e gjatë kandidatësh republikanë që pritet të fillojnë fushatat e tyre elektorale në muajt në vazhdim. Ndër ta janë Guvernatori i Floridas Ron DeSantis, ish-Nënpresidenti Mike Pence, ish-Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Senatori Tim Scott nga Karolina e Jugut.

Presidenti Joe Biden ka thënë se synon të rikandidojë në vitin 2024, duke ngadalësuar kështu lëvizjet e kandidatëve të mundshëm brenda kampit demokrat.

Zonja Haley është mburrur vazhdimisht me historikun e saj në sfidimin e pritshmërive politike, duke thënë se “Nuk kam humbur asnjë palë zgjedhje dhe nuk do filloj tani ta bëj një gjë të tillë”.

Nëse do të zgjidhej, zonja Haley do të ishte gruaja e parë presidente dhe presidentja e parë me origjinë indiane në Shtetet e Bashkuara.

Vajzë emigrantësh indianë, zonja Haley u rrit duke u përballuar me komente raciste në qytetin e saj në Karolinën e Jugut. Ajo ka përmendur prej kohësh ndikimin që kjo gjë pati tek rrugëtimi i saj personal dhe politik.

Në një video në Twitter, ajo përmend të kaluarën e saj, duke thënë se u rrit “jo si afrikano-amerikane, jo si e bardhë, por ndryshe”.

Megjithatë, zonja Haley ka këmbëngulur se Amerika nuk është një vend racist.

Në videon ku shpall kandidimin e saj zonja Haley nuk e përmend me emër ish-Presidentin Trump, por thotë se “elitat në Uashington na kanë zhgënjyer në mënyrë të përsëritur”. Ajo bën thirrje për një “brez të ri udhëheqësish”, duke e shndërruar atë në refrenin e mesazhit të saj.

Related Articles