Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, ka arritur në Kosovë.
Ambasada amerikane në Prishtinë paralajmëroi se Hanrahan në Kosovë pritet të ketë takime produktive, për të përforcuar prioritetet e SHBA-së për stabilitetin rajonal, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik.
E tashmë ka nisur takimi i zyrtarit amerikan me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Takimi po mbahet në rezidencën e Ambasadës amerikane në Prishtinë, përmes një darke pune të organizuar nga e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Zyrtari i lartë amerikan gjatë qëndrimit në Kosovë pritet të takohet edhe me përfaqësues dhe liderë nga partitë parlamentare.
Ndihmëssekretari i Shtetit Hanrahan, para mbërritjes në Kosovë, ka vizituar Serbinë, ku është takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq. Sipas njoftimit nga presidenca serbe, në takim janë diskutuar temat globale, raportet Serbi-SHBA dhe situata në Ballkanin Perëndimor.
Zyrtari i DASH-it gjithashtu vizitoi Bosnjën.