Një burrë nga fshati Mollopolc i Shtimes është arrestuar pasi dyshohet se rrahu e kërcënoi me armë zjarri tre të mitur.
Fëmijët që morën edhe trajtim mjekësor ishin nga fshati Slivovë i Ferizajt.
Arsyeja e sherrit, sipas prindit të njërit nga fëmijët, ishin qentë e të dyshuarit.
Këtë e thanë mbrapa kamerës edhe familjarët e të dyshuarit M.M., por që nuk deshën të flasin më tepër rreth ngjarjes.
Kurse nga policia bënë të ditur se ai pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Nga Spitali i Ferizajt, ushtruesi i detyrës së drejtorit, Isa Berisha, tha të dielën se nuk mund të flasë rreth trajtimit të viktimave, pasi nuk është ditë pune dhe nuk mund të sigurojë informacione.
Ndërkohë, mbrëmë te familjet e viktimave kishin shkuar edhe burra nga familja e të dyshuarit për ta ‘pleqnuar’ situatën, por që po preferohet në këtë rast të veprojë ligji.