Një javë nga marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë, a po zbatohet ajo?

Një javë nga marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë, a po zbatohet ajo?

Të hënën janë bërë një javë, prej kur hyri në fuqi marrëveshja e arritur në Bruksel për targat midis Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshje nisi të shtunën më 2 tetor kur edhe u larguan barrikadat dhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, të cilat ishin të vendosura në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.

Me tu hequr targat, në pikat kufitare u vendosën trupat e KFOR-it të cilët do të qëndrojnë aty për dy javë rresht sipas marrëveshjes.

Pas kësaj të hënën më 4 tetor sipas pikës dy të marrëveshjes së arritur, ka filluar edhe zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia po mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra-tjetrës.

Kujtojmë se vendosja e reciprocitetit për targat e Serbisë nga ana e Qeverisë së Kosovës më 20 shtator 2021, nxiti reagime të shumta.

Madje ky vendim bëri që për trembëdhjetë ditë me radhë dy pikë kalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjakë të qëndrojnë të bllokuara. Ato u bllokuan me kamionë me zhavorr, nga serbët lokalë në shenjë proteste për vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Në këto dy pika kufitare ishin vendosur edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, të cilët ishin aty për të ruajtur rendin dhe për të ofruar siguri. Disa ditë pas vendosjes së masës së reciprocitetit dhe vendosjes së barrikadave në rrugën e këtyre pikave kufitare në Zubin Potok e Zveçan kishte pasur sulme ndaj Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve.

Këto janë pikat kryesore që parasheh marrëveshja për targa mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në Bruksel:

-Më 2 tetor Njësia Speciale që aktualisht është në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, do të largohen dhe në të njëjtën kohë do të largohen edhe bllokimi i rrugëve, duke filluar nga ora 08:00, por jo më vonë se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjakë, para fillimit të tërheqjes së sinkronizuar të Njësive Speciale dhe barrikadave, dhe do të qëndrojnë atje afërsisht dy javë për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë.

– Më datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.

– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do të paraqet të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e Dialogut./Gazeta Enigma.

Related Articles