Një javë nga sulmi terrorist në Banjskë – Çka dihet deri më tash?

Një javë nga sulmi terrorist në Banjskë – Çka dihet deri më tash?

Janë bërë një javë prej kur ndodhi sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Aty mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, një polic u plagos dhe dy të tjerë u lënduan. Atë ditë, të shtënat me armë zgjatën me orë të tëra, pasi rreth 30 persona të armatosur rëndë u strehuan në Manastirin e Banjskës, shkruan Express.

Përderisa vazhdonte situata e tensionuar në Banjskë, Kryeministri Kurti në një konferencë për media kishte prezantuar fotografi ku shiheshin personat e armatosur duke bartur gjëra të cilat nuk mund të identifikoheshin.

Nga gjuajtjet e vazhdueshme me armë, të vdekur mbetën edhe 3 sulmues serbë, mirëpo ministri Sveçla ka thënë se kanë indikacione që ky numër mund të jetë më i madh.

Më pas, rreth orës 18:00 të së dielës, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e ka marrë në kontroll Manastirin e Banjskës. Atje u arrestuan 6 sulmues, derisa të tjerët dyshohen se kanë ikur në malet që e rrethojnë manastirin.

Poashtu është gjetur edhe sasi e konsiderueshme e armatimit, për çka Sveçla tha se janë gjetur pajisje “për qindra sulmues të tjerë” dhe shtoi se vlera e armatimit kap shifrën 5 milionë euro. Ai tha se në disa nga veturat e shfrytëzuara nga sulmuesit janë gjetur dhe dokumentacione ruse.

Lidhur me situatën në Veri, në ditën e sulmit terrorist është deklaruar për media edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai tha se sulmuesit nuk ishin serbë të Serbisë, por ishin serbë të Kosovës që u rebeluan kundër Kurtit.

Aktualisht në paraburgim janë katër persona nga grupi i armatosur që dyshohet se kreu sulmin terrorist, ndërkaq të premten nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq mori përsipër përgjegjësinë për gjithçka që ndodhi të dielën në Banjskë.

Radojiçiq tha se ka kryer të gjitha përgatitjet logjistike dhe se vrasja e policit Afrim Bunjaku ka ndodhur “aksidentalisht”.

Dëshmitë e Kosovës për lidhjen e Serbisë me sulmin terrorist në Kosovë

Qysh në orën 7:20 të mëngjesit të së dielës kur edhe e konfirmoi sulmin, kryeministri Kurti tha se ai është organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar, mirëpo për t’i mbështetur fjalët e Kurtit, ministri i tij i Brendshëm ka publikuar disa “dëshmi” për lidhjen zyrtare të Serbisë me grupin terrorist.

Sveçla fillimisht ka shpërndarë një video të realizuar nga droni i Policisë, ku në hapësirat e manastirit shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, i cili është në Listën e Zezë të SHBA’së dhe Britanisë së Madhe.

“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku”, kishte shkruar Sveçla.

Më pas ai lëshoi edhe një informacion tjetër, të cilin e prezantoi si dëshmi. Ai publikoi fotografinë e një prej sulmuesve të vrarë, për të cilin tha se është Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

“Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013. Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Dëshmia” tjetër për përfshirjen e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit që e prezantoi Sveçla ka të bëjë me armatimin që u konfiskua në manastirin e Banjskës. Ai publikoi një dokument, për të cilin tha se është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës.

Lëvizja e një kolone ushtarake në jug të Serbisë

Të shtunën REL raportoi se rreth mesditës një autokolonë ushtarake po lëvizte nga jugu në veri të vendit.

Më pas Qeveria e Kosovës më pas i bëri thirrje të shtunën vonë Serbisë t’i tërheqë trupat ushtarake nga vija kufitare me të.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me vëmendje dhe vigjilencë është duke ndjekur zhvillimet e ​fundit sa i përket lëvizjes së njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës”, tha Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.

Ndërsa, Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

Related Articles