Një aksident me fatalitet ka ndodhur këtë të shtunë në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë, konkretisht në fshatin Sllatinë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Enigma se një këmbësor është goditur për vdekje nga një veturë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.
“Rreth orës 20:35, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (fshati Sllatinë). Në aksident është përfshirë një veturë nga e cila është aksidentuar një këmbësor”.
“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar se këmbësori është pa shenja jete”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se drejtuesi i automjetit është shoqëruar në polici për të vazhduar me procedurat e parapara për raste të tilla.