Një muaj paraburgim është vendosur ndaj serbit, Sreçko Sofronijeviq, sot nga Gjykata Themelore e Prishtinës pasi është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se Sofronijeviq dyshohet se ka kryer veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar në bashkëkryerje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
“Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, ngase i pandehuri S.S me qëndrimin në liri mund të fshihet apo të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, për shkak të peshës së veprave penale për të cilat ngarkohet, e këtë duke marrë për bazë faktin se i njëjti ishte arratisur prej kohës kur dyshohet se është kryer vepra penale, po ashtu mund të fshihet apo të largohet lehtë nga Republika e Kosovës pasi i pandehuri është shtetas edhe i Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftim.
Sofronijeviq më 18 tetor të vitit 2010 kishte gjuajtur me armë automatike dhe granata dorë në drejtim zyrtarëve policisë, derisa Policia e Kosovës bashkë me Doganën ishin duke bërë kontrollimin e objekteve të caktuara për kontrabandim me mallra.
“Me të arritur në fshatin Rudarë, Komuna e Zveçanit, kishin hasur në një barrikadë dhe në një grup të personave ku bënte pjesë edhe i pandehuri S.S. Ky grup i personave ishin të armatosur dhe i kishin dalë në pritë zyrtarëve policor, ashtu që në momentin që e kanë parë policinë në vendin e incidentit, kishin filluar të shtinë me armë automatike dhe granata dore në drejtim të policisë dhe si rezultat i këtij sulmi, nga pjesët e granatës së dorës ishte plagosur zyrtari policor, kapiten B.A”, thuhet në njoftim.