Gjykata Themelore në Prizren të shtunën ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për katër nga 39 të arrestuarit në rastin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Sipas njoftimit të Gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake Fatmir Krasniqi ka vendosur që të pandehurit – ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtori i Financave në BKS, Valon Berisha, Florent Sylejmani dhe Yll Çollaku të mbahen në paraburgim deri më 8 shkurt, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale të natyrës ekonomike dhe të falsifikimit.
Gjykata bën të ditur se Sami Mazreku dhe Valon Berisha dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale të keqpërdorimit të besimit në vazhdimësi dhe keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike, ndërsa ndaj Valon Berishës rëndon edhe dyshimi për falsifikim të dokumenteve në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, Florent Sylejmani dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe keqpërdorim të besimit, ndërsa Yll Çollaku për keqpërdorim të besimit në vazhdimësi.
Ndërkohë, 35 të pandehurit e tjerë dyshohen për veprën penale të keqpërdorimit të besimit në ndihmë. Ndaj tyre, Gjykata ka caktuar masën e paraqitjes së rregullt në stacion policor dhe masën e ndalimit për t’iu afruar Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe personave të caktuar, në kohëzgjatje prej një muaji, deri më 8 shkurt.
Sipas vendimit, të pandehurit obligohen që një herë në javë të paraqiten në stacionin policor përkatës sipas vendbanimit, ndërsa paralajmërohen se mosrespektimi i këtyre masave do të rezultojë me caktimin e paraburgimit.
