Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve L.S., L.S., M.A., dhe B.D.
Ata po dyshohen se kanë kryer veprat penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike, dhe blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Kjo masë u caktua pas seancës dëgjimore të së enjtes, në të cilën gjykatësi i procedurës paraprake, Ali Kutllovci ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Fillimisht, në seancën dëgjimore prokurorja e rastit Natasha Radoviq vazhdoi me elaborimin e kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve.
E njëjta deklaroi se ekzistimi i dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, vërtetohet nga provat në shkresat e lëndës, nga provat e bastisjes së vendit të ngjarjes, ku të pandehurit kanë tentuar të arratisën mirëpo janë penguar dhe zënë nga ana e policisë.
“Në vendngjarje është hasur laboratori ku është kultivuar droga, në të gjitha hapësirat e objektit janë hasur diku rreth 3000 vazo me bimë të mbjella”, deklaroi tutje prokurorja.
Tutje, prokurorja deklaroi se një hapësirë e objektit është shfrytëzuar për terjen e substancave narkotike, ndërsa nga bastisja janë gjetur edhe disa qese me substancë narkotike me sasi prej 15 kg, me qëllim transporti.
Sipas kërkesës, prokuroria konsideron se janë përmbushur kushtet për caktimin e masës së paraburgimit, të parapara me nenin 181 të KPPK-së, pasi në këtë rast hasën rrethanat e rrezikut të arratisjes nga ana e të pandehurve, rrezikut të ndikimit në dëshmitarë dhe rrezikut të përsëritjes së veprës penale.
Tutje, sipas kërkesës, tre nga katër të pandehurit janë shtetas të Serbisë dhe kjo është marrë parasysh si bazë për ekzistimin e rrethanës së rrezikut nga arratia, pasi që nësë të njëjtit lihen në liri ekziston mundësia që të arratisen dhe t’i shmangen përgjegjësisë penale.
Ndërsa, rrethana e ndikimit në dëshmitarë dhe bashkëkryerës është paraparë nga prokuroria meqenëse njëri i pandehur është në arrati dhe nëse të njëjtit lihen të lirë do të kenë kontakt me të arratisurin, L.S, raporton betimiperdrejteis.
Bazat e caktimit të kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve vjen si rezultat i seriozitetit dhe mënyrës së kryerjes së veprës penale, pasi nga bastisja e vendit të ngjarjes janë gjetur rreth 3000 vazo me bimë të mbjellura, substancë narkotike, 15 kg marihuanë e paketuar, e gatshme për shpërndarje, si dhe gjetja e pajisjeve dhe laboratorit për kultivimin dhe përpunimin e substancave narkotike.
Prokurorja theksoi se serioziteti i veprës shtohet edhe nga fakti se veprat penale për të cilat akuzohen të pandehurit janë në rritje e sipër vitet e fundit.
Gjyqtari Kutllovci e pyeti prokuroren se cilat janë provat që vërtetojnë se të pandehurit janë zënë duke shpërndarë, dukë shitur, apo duke transportuar substancat narkotike.
Prokurorja Radoviq deklaroi se momentalisht të gjitha provat që i posedon prokuroria janë në shkresat e lëndës, dhe se sipas prokurorisë për këtë fazë të procedurës këto janë prova të mjafteshme për të caktuar masën e paraburgimit, ndërsa shtoi se gjatë vazhdimit të hetimeve do të mbledhen prova shtesë me të cilat do të vërtetohet në tërësi se të pandehurit kanë kryer këto vepra penale.